Qabja e Nderuar

El-Keëbetu el-Musherrafeh

“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” – Kur’an, 3:96.

Përgatiti: Avni Tafili

(Në foto: Elementet e Qabes. Kliko mbi të, hapet e madhe).

Qabja afërsisht është në formë të kubit, prandaj dhe quhet el-Keëbetu, dhe ka katër kënde: Këndi verior, quhet këndi i Irakut; këndi perëndimor, quhet këndi i Shamit; këndi qendror, quhet këndi i Jemenit; dhe këndi lindor, quhet këndi i Zi (sepse në këtë kënd gjendet Guri i Zi).

Mendohet se për herë të parë e ka ngritur Vetë Allahu xh.sh.. E disa mendojnë se Melaiket e kanë ndërtuar me urdhër të Allahut xh.sh.. E disa mendojnë se i pari e ka ndërtuar Ademi a.s., e disa të tjerë mendojnë se Shish ibën Adem.

Por, mendimi me konsensus të gjerë është se, e ka ngritur[1] Ibrahimi a.s.[2], sepse Shtëpia e Parë për adhurim në tokë është Qabja[3].

Dijetarët Islam kanë rënë në ujdi se, Ibrahimi a.s. i ka ngritur themelet e Qabes së Nderuar. Pas tij, Kurejshitët, pastaj Ibën Zubejr më 65h., pastaj el-Haxhaxh ibën Jusuf më 74h. me urdhër të Abdu-l-Melik ibën Mervan, pastaj Sulltani Uthman, Murad Han më 1040h. E renovimi i fundit nga Suud ibën Abdu-l-Aziz Eli Suud më 1377h.

Ndërkaq, mendimi që nuk ka arrit konsensus të dijetarëve islam është se, nëse ngritja e Qabes së Nderuar ka filluar prej Melaikeve, pastaj Ademit a.s., pastaj Shish ibën Adem, pastaj Ibrahim a.s., pastaj el-Amalikah, pastaj Xherhem, pastaj Kusa ibën Kilab, pastaj prej Abdu-l-Mutalib.

Mendimi se përherë të parë e ka ndërtuar Ademi a.s.[4] është transmetuar nga el-Bejhekiu prej Umerit r.a.., por mendohet se është transmetim i dobët.

Oborri përreth Qabes quhet “Mesxhid el-Haram” dhe atë për herët të parë e ka ndërtuar Ummer ibën el-Hattab.

Disa emra të Qabes në Kur’an:

Qabe (el-Keëbetu): “Allahu e bëri Qaben, shtëpinë e shenjtë, vend jetësimi (çështje të fesë e të jetës) për njerëz..” – Kur’an, 5:97

Shtëpi (el-Bejt): “Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo…” – Kur’an, 3:97

Shtëpi e Lashtë (el-Bejtu-l-Atik): “Le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë.” – Kur’an, 22:29

Shtëpi e Shenjtë (el-Bejtu-l-Haram): “..Kanë mësyer (për vizitë) shtëpinë e shenjtë (Qaben)..” – Kur’an, 5:2

Shtëpi e Vizituar (el-Bejtu-l-Meëmur): “Pasha shtëpinë (Qaben) e vizituar..” – Kur’an, 52:4

Shtëpi e Shenjtëruar (el-Bejtu-l-Muharrem): “…e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë.” – Kur’an, 14:37

El-Haxheru-l-Esved – Guri i Zi

Është elementi i parë i Qabes. Nuk ka sikur ky gur në tokë, i zbritur prej Xhennetit më i bardh se qumështi, sikur Allahu të mos ia shuante dritën, do të ndriçonte mes Lindjes e Perëndimit[5]. Këtij guri do t’i jepet të pamirit dhe të folurit dhe do të dëshmojë Ditën e Gjykimit për atë që i është afruar[6].

Mekam Ibrahim

Vendi (shkëmbi) ku mbi të ka hipur Ibrahimi a.s. për të ngritur Qaben e Nderuar. Aty është pika kulmore e kiblës[7] për namaz. Mendohet se aty (në shkëmb) ende janë gjurmët e këmbëve të Ibrahimit a.s..

El-Hixhru – Guri (rrethojë) i Ismailit

El-Hatim[8] është në formë gjysmë rrethi, gjendet mes Gurit të Zi, Zemzemit dhe Mekamit Ibrahim, ndryshe thirret si “Guri (rrethojë) i Ismailit” Është e ndërtuar prej mermerit, me ngjyrë të bardhë, lartësia e tij është 1 m. 30 cm., gjerësia e tij prej së larti është 1 m. 5 cm., ndërsa prej pikës zero është 1 m. 44 cm.. Gjendet në anën veriore të Qabes, përballë murit verior-perëndimor, dhe është pranë këndit verior. Për këtë transmetohet se, Kurejshitët nuk ia kanë bashkangjitur[9] Qabes së Nderuar, megjithëse është prej pjesëve përbërëse të saj.

Emërtimi i kësaj pjese me “Guri i Ismailit” është zhargon, jo emërtim sheriatik, pasi kjo rrethojë është ndërtuar pas ngritjes së Qabes prej Ibrahimit a.s. bashkë me të birin e tij, Ismailin a.s.[10]. Por, kjo është pjesë e Qabes, e nuk lejohet tavafi pa të, e as nuk lejohet namazi farz brenda saj.

Muhammedi a.s. për rëndësinë e el-Hixhru ka thënë: Kush ngrihet (qëndron, falet a lutet) nën el-Mizab dhe lutet, i pranohet atij; vërtetë në derën e el-Hixhru është një melek që i thotë atij që falë dy rekate: “Të është falur e kaluara.” – Hadith : Ezreki prej Atta.

El-Multezem

Hapësira mes derës së Qabes dhe Gurit të Zi. Hapësira ku pranohet lutja[11], nuk lutet robi i Allahut në atë pjesë të Qabes e të mos i pranohet lutja. Pikërisht edhe për këtë arsye mendohet se është quajtur “el-multezem”, pasi haxhinjt ndalojnë aty dhe luten.

Uji i bekuar, Zemzem

Nuk ka ujë më të pastër e as më të këndshëm se uji Zemzem. Ky ujë është pastrues zemrash e shpirtrash. Këtë ujë Allahu xh.sh. e zgjodhi për Xhibrilin t’ia pastronte zemrën Muhammedit a.s.. “Zemzem është shërues; zemzemi për gjithçka që pihet për të.” – Hadith.

Transmetohet se ibën Abbas kur pinte ujë zemzem, thoshte: O Allah! Të lutem për dituri të dobishme, furnizim të gjerë, shërim prej çdo sëmundjeje, duke u mbështetur në thënien e Muhammedit a.s.: “…Zemzemi për gjithçka që pihet për të.”

El-Mizab – Streha

Është strehë e vendosur mbi çatinë e Qabes së Nderuar, dhe shtrihet mes murit verior të Qabes, përreth Gurit të Ismailit a.s.. Kjo strehë,- ndryshe thirret “Streha e Mëshirës”,- mbledhë të reshurat e shiut dhe i zbrazë në Gurin (rrethojën) e Ismailit a.s.. Kjo strehë ekziston që nga periudha e xhahilijetit; në rregullimin e saj ka marr pjesë edhe Muhammedi a.s., 5 vjet para shpalljes.

Në vitin 91 H., në kohën e El-Velid ibën Abdu-l-Melik, e ka veshur me flori mëkëmbësi i Mekkes së Respektuar, Halid ibën Abdullah. Mendohet se el-Velid është i pari që e ka stolisur Qaben me flori në historinë e saj.

Ndërkaq, në vitin 1273 H., Sulltani Uthman, Abdu-l-Mexhid, ka sjellë një strehë të stolisur me flori, e cila vazhdon të jetë sot e asaj dite.

Dera e Qabes

Në periudhën e xhahilijetit (para shpalljes së Muhammedit a.s.), Qabja e Nderuar kishte dy dyer: derën e hyrjes dhe derën e daljes. Por tani ka vetëm një derë, e gjendet afërsisht në anën lindore të Gurit të Zi. Dera është prej një druri të çmueshëm, e veshur me flori dhe e stolisur me kaligrafi. Lartësia e saj është 3 m. e 10 cm, ndërsa gjerësia 1 m. 68 cm., kurse lartësia mbi tokë është 2 m.

Shatërvani

Një rrip i gjerë prej mermerit i mbështetur për muret poshtë Qabes. Lartësia prej anës veriore është 50 cm, e gjerësia në mes të rripit është 39 cm. Është rreth e rrotull Qabes. Shatërvani nuk ishte gjatë periudhës së xhahilijetit, e që është prej elementeve të Qabes.

Katër këndet e Qabes
Këndi verior: këndi i Irakut, këndi perëndimor: këndi i Shamit, këndi qendror: quhet këndi i Jemenit[12], dhe këndi lindor: këndi i Zi (në këtë kënd është Guri i Zi).

Rripi ngjyrëkafe

Rripi ku fillon dhe mbaron një rrotullim rreth Qabes së Nderuar.

Fusnota____________________________

[1]“Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes)..” – Kur’an, 22:26. Sipas këtij verseti, Qabja ka ekzistuar para Ibrahimit a.s..

[2] Mendim i Ibën Kethir, i cili transmeton se ibën Abbas r.a. ka thënë: “…. nderimi i Qabes për shkak se, e ka ndërtuar i Dashuri i të Gjithëmëshirshmit, Ibrahimi a.s…”

[3] Allahu xh.sh. thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” – Kur’an, 3:96.

[4] Nuk ka argument të prerë se e ka ngritur Qaben ndonjë para Ibrahimit a.s.

[5]“Guri dhe Mekami janë margaritarë prej margaritarëve të Xhennetit, e ka shuar Allahu dritën e tyre, e po të mos e shuante, drita e tyre do të ndriçonte mes Lindjes dhe Perëndimit”. – Hadith : Tirmidhiu dhe Ahmed. Hadithi tjetër: “Guri i Zi ka zbritur prej Xhennetit duke qenë më i bardh se qumështi, pastaj e kanë nxirë mëkatet e bijve të Ademit.” – Hadith: Tirmidhiu

[6] “Ditën e Gjykimit do të vijë ky gur me dy sy,të shikojë me to, e me gjuhë,të flas me të, e të dëshmojë për atë që i është afruar si duhet.” – Hadith : Ahmed

[7] “Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranojeni për vendfaljeje!” – Kur’an, 2:125

[8] Sipas Ebu-l-Hasan ibën Ijad, quhet el-Hatim, sepse aty zhbëhen (shlyhen) mëkatet. – Mevahib el-Xhelil, pj.5, fq.523.

[9] Aishja r.a. ka thënë: E kam pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për hixhrin, a është prej (pjesëve të) Qabes? Më tha: “Po!” E i thashë: Pse nuk ia kanë bashkangjitur Qabes? Më tha: “Populli yt nuk ka pas mundësi materiale (ta bashkojë) …” – Hadith : Muslimi

[10] Mendohet, sipas Ibën Is’hak, se Ismaili a.s. është varrosur me të ëmën e tij, Haxher, në el-Hixhru (në këtë rrethojë). Sipas dijetarëve nuk lejohet të falet brenda saj namaze farze.

[11] “…dhe vërtetë, mes shtyllës dhe mekamit është kopsht prej kopshteve të Xhennetit, e kush falë aty katër rekate thirret prej brendisë së Arshit: O ti rob, je falur për gjithçka ç’ke bërë më parë, dhe vazhdo adhurimin.” – Transmeton Ajsha r.a.. Me fjalën “Shtyllë” synohet “Shtylla e Gurit të Zi”, ndërsa me “Mekam”, mekami Ibrahim, ndërsa mes tyre është el-multezem, guri i zi dhe guri i Ismailit. Hadith tjetër: “El-Multezem është vend ku pranohet aty lutja, nuk lutet robi i Allahut prej aty e të mos i pranohet atij.” – Hadith.

[12] “Ai (Allahu) ka urdhëruar 70 melaike të qëndrojnë në këndin e Jemenit, e kush thotë: O Allah! Të lutem për falje dhe shpëtim në këtë jetë dhe në Ahiret! O Allah! Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe të mira në Ahiret dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!, thonë (melaiket) : Amin!” – transmetohet nga Ebu Hurejre.