Kur ëndërron syçelë!

imaginationKur njeriu shpreson, por kot; kur njeriu duke imagjinuar e fantazuar, vetveten për toke të shtangur e mban!

Shkruan: Avni Tafili

E kundërta, mos ndodhë e kundërta!

“Mos” hap dyert e shtëpisë, “rri” brenda, ty të pengon zhurma, mbyll dritaret atëherë, mbulohu edhe me çarçafë, “bëj” çka të duash, e pse “të ndjehesh” fajtor pse ti tronditesh, ti kur të lëmohesh, zgjohesh duke buzëqeshur, e kur të cingërojë alarmi për punë e mundim, mërrolesh, po, “rri” shtrirë, “mos” u ngrit, le të të “mbulojnë” edhe me një plaf, ngrohu, “lëshoi” kapakët e syve, “mbylli” veshët, “bëje” dhomën ku je, errësirë, “mos” lejo të të depërtoj drita e diellit, ti “ke nevojë” për gjumë të thellë, “ke nevojë” të pushosh, “je” lodhur, tërë jeta jote “përplot” obligimesh, që kur ke filluar të ecësh ti duke ndenjur në shtëpi duke menduar e planifikuar! Rri, çlodhu, kur të thërrasin të dalësh nga qetësia e dhomës së gjumit, “mos” i dëgjo, “mbylli” veshët, thirresh të trazohesh, të djersitesh, të vraposh, “lëri”, “ik” prej tyre, “bëhu” i qëndrueshëm në atë që mendon e ndjen; fantazon, “mos” i trazo tingujt e imagjinatës, je në një rrugë “pa shqetësime”, të tjerët lëvizin, flasin, mendojnë, e ti “rri” ashtu. “Ashtu” rri, ti “shpreso” shtrirë në dyshek.

Mos po të mundojnë fantazia e jeta që po bën brenda vetes, në trurin tënd? “Mos” të të bezdisin, ti “vazhdo” të planifikosh në imagjinatën tënde; “ke” kohë, jeta është e gjatë apo jo? Ti “s’je” i plogështuari, ndonjëherë ndjehesh kot, “mos” u ndje, ndonjëherë ndjehesh i dobët, ndonjëherë ndjehesh i padobishëm, ndonjëherë ndjehesh i ofenduar, ndonjëherë ndjehesh i pashpresë, ndonjëherë ndjehesh i ulët, ndonjëherë ndjehesh pajetë. Pse ndjehesh, po ti a ke ndjenja, hë? Jo, “rri” në errësirë të plotë, “rri” në qetësi të plotë, “mos” lëvizë, ti “ke” jetë, ke jetë në trurin tënd, jetoje atë të paktën në maksimum.

Tani, je duke përfytyruar veten duke hipur në një ndërtesë të lartë, ngadalë se po rrëzohesh, jo, zgjeroje pak, e ke në anën e djathtë të trurit tastin, shtype, jepi urdhër edhe të hipësh përnjëherësh, mos numëro katet, e as shkallët, thjesht hip! A mbërrite, tani mos u zgjo, se të merren mendtë, mos shiko poshtë se je në maje të ndërtesës, imagjinoje veten tash me flatra, shiko tash, ke frikë nga lartësitë? Mirë, e vrave lartësi-fobinë, mos lëvizë nga shtrati ku je, mos e prish këtë fantazi të bukur. Prit, ke ende kohë të imagjinosh. Të pëlqen të kesh një pallat ashtu të lartë? E pra, mos e çoriento fantazinë, përqendrohu në epërsinë që mund të kesh! Po ke pak frikë nga lartësitë, eja tash poshtë, jepi urdhër anës së majtë të trurit, ta imagjinoj zbritjen, erdhe poshtë?

Sikur ta imagjinoje bahçen plot lule. Hë, se edhe natyra është e bukur apo jo? Të pëlqen gjelbërimi? Është ngjyrë e qetë, të inspiron e ta ushqen fantazinë. Tani mendo pak, ama mos lëvizë, se ndjeva sikur fillove t’i lëvizësh gishtërinjtë e këmbës, s’ke pse shikon gjelbërimin për dritare, ti ke fantazinë. A nuk e ndjen erën e gjelbërimit, a nuk po e përfytyron ngjyrën e maleve, a nuk po e ndjen freskinë dhe erën e këndshme të bjeshkëve? Hë pra, rri aty, mos u lodh, s’ke kohë, me trurin tënd mund t’i përjetosh të gjitha. Mmm, tani mos je lodhur duke menduar, ke ngrënë e ke pirë? Po pse nuk e imagjinon veten duke ngrënë e pirë në natyrë?

Mbylli sytë, mos ka depërtuar drita në dhomë? Mbylli të gjitha pikat kah mund të shponte drita dhomën. Do e imagjinosh veten edhe duke lexuar? Uh, trishtim, të nxjerr nga fantazia e bukur. Sss…, më mirë e lëmë pra kur të fillosh të fantazosh për karrierë… Shtrij këmbët, mbështet shpinën për shtrati, kokën në jastëk, ke ndonjë gjë në tavan? Hiqe nëse s’të inspiron ëndrrën syçelë! Mirë, tani zgjedh, çfarëdo ushqimi të ka ëndja, imagjino çka të duash, truri ta sjellë alla sekondë, por mos harro të imagjinosh edhe pije freskuese, merr edhe ujë. Zgjodhe, tani zgjedh edhe ambientin, një bahçe plot jeshil, e plot lule përreth, përfytyro edhe një hije nën drurin e një pishe, të vogël jo të madhe, afro afër vetes edhe një mbështetëse. Sa bukur, hë? Po ndjehesh mirë? Nuk të thashë, se truri ka fuqi të të sjellë gjithçka imagjinon. Mirë, mos e prek stomakun, me siguri je ngirë. Edhe syri të është ushqyer. Edhe mendja të është prehur në bukurinë e asaj që imagjinove. Je prehur mjaft, apo jo! S’ka gjë pse trupi është plogështuar, për ty pra e rëndësishme mendja “të prehet”.

Ç’thua sikur të imagjinosh tani veten duke ndërtuar karrierë? Ëmm…, dëshiron ta fantazosh veten dijetar, orator i shkëlqyeshëm, duke ligjëruar në ndonjë katedër universiteti? Po prit, si t’ia fillosh fantazinë. Ti duhet të imagjinosh veten si më i zgjuari në shkollë fillore, e pastaj sukseset e një pas njëshme, e të imagjinosh mendimet e tua duke u shkruar nëpër mure, që nxënësit, shokët e tu kah të endën, t’i lexojnë, po edhe mësuesit të tmerrohen nga talenti yt. Sa bukur, e shikon, sa i mençur je. Mos e mblidh dorën, shtrije, qetësohu, ti ke imagjinatë të pasur, jetoje pra. U zgjodhe më i miri në shkollë. E tani shkove në shkollë të mesme. S’ka rëndësi drejtimi, zgjedh çdo drejtim, s’ke pse mendohesh, ti ashtu-kështu je më i talentuari, ti mund të jesh mbi të gjithë, derisa ke tru që di të ëndërrojë. Fantazo, kaq. Në shkollë të gjithë janë në pritje të ardhjes sate. Sa të gëzuar janë që ti do të jesh nxënës aty. E më me fat është klasa jote. Imagjino sikur punimet e tua u botuan nga shkolla, u shndërruan në libra shkollorë. Në çdo libër figuron emri yt. Sa e bukur pra qenka jeta jote, duke fantazuar. E ç’të duhet të jetohet edhe në realitet, apo jo?

Rri shtrirë, e pse po mërzitesh, të paktën përjetoje në imagjinatën tënde kënaqësinë e të qenët i suksesshëm, i paprekshëm, në maja të zhvillimit njerëzor. E tani, po ndjen kënaqësi? Do vazhdosh imagjinatën, apo do t’ia mësysh një fantazie tjetër? E di që ke dëshirë të përjetosh edhe fundin. Eh, fundi. Ti s’ke pse e imagjinon fundin, ti je i mbyllur në dhomë. Për dy vjet e mbarove të mesmen. U bëre udhëheqës i stafit shkollor. Të gjithë po të admirojnë, janë të magjepsur pas aftësive tua, je gjeni. Sa e këndshme imagjinata, kur truri fantazon, apo jo? Ende pa vajtur në universitet, ti veçmë ke marr ftesa prej kolegjiumeve universitare, të gjitha universitetet po të thërrasin të bëhesh student i tyre. Jo, mos vendos njëherë. Po ndjehesh mirë, shiko mos po të nxjerr nga imagjinata ndonjë zhurmë, mos i hap sytë, vazhdo të fantazosh. Shkove në Universitet, e zgjodhe më të mirin, të kanë siguruar edhe laboratorë e klasa të veçanta, që të bësh kërkime shkencore. Ti po prek majat e zhvillimit mendor. Ke filluar të zbulosh fshehtësitë e shkencave, je afër shpikjeve shkencore. Të gjithë po presin me padurim e në ankth se çfarë frytesh do të japësh.

U bëre më i njohuri, studentët të rrinë pas, e profesorët të kanë zili, por e kanë pranuar gjenialitetin tënd. Je më i miri, lumi ti. Po të përkrahin. Hë, e përfundove universitetin? Jo prit, jepi urdhër anës së pasme të trurit, që ti të kesh organizuar qindra simpoziume nëpër universitete, në vend e jashtë vendit. Të gjithë janë duke folur për ty. Librat tua janë “më të shiturit – #1” në tërë globin. Sa imagjinatë e hareshme. E tash, urdhrin trurit për sa muaj i dhe që të kesh përfunduar këtë nivel shkollor? Për dy vjet. Mirë, atëherë punimet tua me siguri janë shpërndarë në tërë botën. Mos i lëvizë gishtërinjtë e këmbës. Rri i qetë, ti ke jetë brenda trurit, a s’të mjafton? S’ke durim, prit të përjetosh ëndrrën deri në fund. Imagjino, të tjerët s’dinë të fantazojnë si ti. Ashtu rri i shtrirë. Po pas universitetit çka bëre? Ëmm…, ke hapur shkolla tua, ti po i drejton të gjitha. Bile universitetesh morën emrin tënd. Të dhanë edhe magjistraturën e doktoraturën. Ti je bërë i hatashëm. Ke aguar pasuri kombëtare. Edhe mbarënjerëzore.

Pak më para “s’ishe” kurrkund e ishe kurrkush, e tash e sheh, ç’të bëri imagjinata, për pak kohë, “ti arrite” të çash dhomën tënde e të depërtosh kudo.

Prapë, e sheh se çka mund të bëjë truri yt? Ama në ëndërr!

3 Comments

  1. Fatoni says:

    Kur enderron syçele, kjo nje pjese te madhe i pershtatet gjendjes sone. Po edhe mua. Shyqyr qe ka doktor qe na i gjen semundjet dhe perpiqet me dijen qe ia ka dhene Zoti me na ndihmue e me na nxjerr nga kjo gjendje e rende shpirterore.

  2. Sister in islam says:

    Njeriu gjithmon i prirur per te qen ne maje t’larta, ne vise te pashkelura, ku askush nuk ka aftesi te arrij aty, fantazi qe funksionon te cdo tru i njeriut, a thua u be reale pa i mboshtur deshirat e shpresat e kota,pa luftuar pasionet tona-ne rrugen drejt perkushtimit, sakrifices,per arritur frytin e suksesit?!
    Kur imagjinata e arsyeshme shoqerohet me veper menjehershme, ajo tashme nuk eshte fantazi apo enderr, por e shndrruar ne realitet.

    Cka thote Kur’ani per njerezit e tille?
    “Ata edhe thanë: “Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës. Ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë.” (Xhathije,24)

  3. Adnilr-@ says:

    Një pjesë e ëndrrave janë shkaktarë të imagjinatës, e kur ëndërrojmë mirë, pretendojmë realizimin, kur realizojmë falënderojmë Atë që na e mundësoj, të imagjinojmë, mendojmë, meditojmë, e realizojmë.

Comments are closed.