O agjërues!

O agjërues, iu nënshtrove Zotit tënd, Allahut azze ve xhel, iu binde Zotit të çdo gjëje, të Gjithëpushtetshmit, të Gjithëfuqishmit, të Gjithëdijshmit, të Urtit, të Plotmëshirshmit, Gjithëpërfshirësit; e për ty nuk do të ketë më kuptim dështimi e dëshpërimi, e as shqetësimi e mërzitja! Ti ke bërë zgjedhjen e duhur: qetësinë, lumturinë, shpëtimin!

Shkruan: Avni Tafili

Para se të thuash këtë fjalë, e të shprehësh këtë vendosmëri, dijeni o Ummet, se po lidh besë me të Gjithëpushtetshmin; po i thua se, unë vetëm për Ty po agjëroj, dhe jam i bindur se Ti më sheh dhe më dëgjon, e mbikëqyrë gjithçka bëj. E para se të shprehësh këtë vullnet, vullnet që lidhet me Vullnetin Absolut, dije o Ummet, se po shpreh diçka, që nëse i përmbahesh sinqerisht, do të arrish majat e njeriut të përkryer në virtyte e moral!

E kur thua: vendosa të agjëroj për Allahun e Lartësuar, ti vetveten binde, se Zot ke Allahun, mos ia vër veshin ç’të pëshpëritin veset e anët e errëta të vetvetes, po përqendrohu i bindur plotësisht në të Gjithëfuqishmin, e prej Tij ndihmë kërko, që ti premtimin ta mbash.

Ti kur vendos, vetes i ke vënë një qëllim: të mos adhurosh askënd përveç Allahut; të mos i nënshtrohesh askujt përveç Fjalëve të Allahut; të mos kesh shembull e model askënd përveç të Dërguarit të Allahut, Muhammedin salAllahu alejhi ve selem.

Ti vendose, tani ke hyr në besë me Zotin e qiejve e të tokës, me Krijuesin tënd që iu binde dhe i besove. Ke filluar një lidhje të re mirëbesimi mes vetvetes sate dhe Zotit. Ti me agjërimin tënd, ke vendosur që t’i thuash njëherë e mirë “Jo!” teprimit në haje e pije, gjërave të kota dhe të errëta.

Je agjërueshëm, e ti me agjërimin tënd je përcaktuar për Lumturi të Përhershme, ke mposhtur gjithçka që vdes, dhe e gjykuar e ulët të jetë. Po, ti vendose me urinë dhe etjen, qoftë uri e etje fizike, apo mendore e shpirtërore. Ti dëshiron të jesh ndryshe; të jesh më i pastër, më i ngritur, më i plotë, e më i devotshëm!

Ti po ndalon trupin tënd të hajë e të pijë. Nuk po e dëgjon zërin e urisë e as të etjes, po ulë epshin, po vë nën zotërimin tënd pasionin që huton! Uri e etje, por agjërim! Agjërueshëm, që shpirti të pastrohet e të kthjellohet; agjërueshëm, që mendja të jetë e qetë të gjykojë e të arsyetoj e pavarur nga trupi yt. Tani ti ndjen siç ndjehet, e mendon, siç mendohet!

O agjërues, ti mund të jesh në radhët e njerëzve më të mirë në fytyrën e tokës! Po, ti po ndjek shembullin e njerëzve të zgjedhur; njerëz që Krijuesi ynë i zgjodhi dhe i ruajti nga gjithçka e keqe, që qenien e tyre do e çnatyrizonte. S’ke më për çfarë të ndjehesh i mangët, ti ke filluar të ndjehesh i fuqishëm, i dalluar, i veçantë, i ngritur e i zgjedhur.

O ju agjërues, sa e këndshme që është era juaj tek Zoti juaj! Sa e këndshme është edhe Porta e Agjëruesve, në ditën kur nuk do të bëjë dobi asgjë, veçse bindja dhe vepra e mirë! Po, ti do të hysh – në dashtë Allahu – në Xhennetin e Allahut nëpërmjet një dere që askush përveç teje nuk mund të hyjë. Për ty o agjërues, Allahu e krijoi atë portë Xhenneti!

Ndjehu i veçantë, ti po agjëron, po agjëron për Zotin tënd, të Parin dhe të Fundin, për Jetëdhënësin dhe Jetëmarrësin; për Atë, që pa Të, është asgjë fare. Ti prej Tij do të përkujtohesh, ti po e respekton Atë! Sa shumë mirësish që të presin o agjërues i dashur! Sa do të doja të isha aty ku do të jesh edhe ti, o agjërues i devotshëm!

Mos shiko njerëzit, e as mos ia vë veshin se ç’thonë të tjerët, ti thuaj: jam agjërueshëm, e Zotit tënd bindju! Kjo të mjafton. Ti je nën programin e Zotit tënd, që për ty e zgjodhi, e ti ji i sigurt që Allahu ka përgatitë për ty begatish të papërshkrueshme. Njerëzit le të flasin, le të bëjnë atë që bëjnë, ti je musliman, po je edhe agjërues, e tani je nën përkujdesjen e Zotit të qiejve dhe të tokës!

O ju agjërues të dashur, betohem në Atë që më krijoi dhe ju krijoi, jeni njerëzit më të mirë në tokë, nëse ju plotësisht i përmbaheni agjërimit që agjëroni! Jini të sigurt këtë që ua them, e për këtë dëshmi keni, devotshmërinë që nëpërmjet agjërimit arrihet! E te Allahu njerëzit më të nderuar e më të ngritur janë të devotshmit!

O agjërues, iu nënshtrove Zotit tënd Allahut azze ve xhel, iu binde Zotit të çdo gjëje, të Gjithëpushtetshmit, të Gjithëfuqishmit, të Gjithëdijshmit, të Urtit, të Plotmëshirshmit, Gjithëpërfshirësit; e për ty nuk do të ketë më kuptim dështimi e dëshpërimi, e as shqetësimi e mërzitja! Ti ke bërë zgjedhjen e duhur: qetësinë, lumturinë, shpëtimin!

O Allah! Na udhëzo që vetëm për Ty të agjërojmë!

E na bëj agjërues të denjë e të devotshëm!

Muaji Ramazan (III)

Shans i Fundit!

Dije pra, se Zoti është Ai që ti pa Të je asgjë. Ai të dha këtë shans. Muaj që ta luftosh egon, ta luftosh epshin, ta luftosh hamendjen, t’i luftosh anët e errëta të vetvetes sate!

Shkruan: Avni Tafili

Largohuni, më hapni rrugën, dua të jem unë, ju lutem, më lejoni! – kështu do të klithte një njeri sikur për çdo sekondë të agjërimit t’i jepeshin 1 gr. flori! Jo, nuk do të pyeste, kërkon flori, pasuri, kërkon një shtëpi luksoze, të ketë edhe pishinë, po, të ketë edhe një garazh të madhe, s’i dihet, i duhet të ardhmen, sot ka një veturë, por të ardhmen, ku do t’i parkoj veturat tjera! Jo, nuk do veçse të ketë jetë të qetë, të sigurt, edhe pakëz komode!

Jo! Të siguroj se në këtë jetë, që quhet dunja nuk ka as qetësi kurrë, e as siguri kurrë, e as komoditet kurrë! Kjo jetë është e telasheve dhe sprovave! Dunja do të thotë: e ulët, po edhe që të bën të mashtrohesh pas saj.

Të jesh i sigurt, se kjo dunja në këtë muaj të çliron, që ti të çlirohesh prej saj në muajt tjerë!

Nuk ka shans të dytë! Por ti kërko! Po dije o njeri që kaq shumë ëndërron për këtë qetësi, siguri e komoditet, sikur ty të jepeshin edhe çelësat e furnizimit të të gjithë njerëzimit, po dhe të qiejve, ti, po ti, do t’i mbyllje nga frika se do të harxhoheshin! Ky je ti, të njoh, këtë e tha Zoti ynë që neve na krijoi!

Andaj po deshe, merr e mos lut, me ç’ka në të, në tokë e mbi tokë, se të betohem në një Zot, që quhet ALLAH, nuk do t’i gëzosh! Ti je i uritur, jo ti ke nevojë të kurohesh! Lirojani rrugën, ky njeri do ari, do të grumbullojë pasuri, do të zaptojë tokën. Mjerë për ty, o njeri, sikur të jetoje 1000 vjet, do të mbusheshe mend, vallë? Po edhe sikur të të jepej e tërë bota, me ç’ka në të, po edhe nën të, çfarë pastaj? Ti je një trup, i sigurt s’je më i gjatë se kulmet e shtëpive, e as s’je më i gjerë se gungë arrash!

Ku do të shkosh! Ku do të përfundosh! Çfarë kërkon ti! Pse je dalldisur!

Një bark ke! Një trup ke! Një gojë ke! Mos vallë, ke më shumë se një jetë në këtë tokë, që ty të ka marrë përpara!

Ndal! Ti je krijesë, si gjithë krijesat tjera, ke një përfundim, e ajo është vdekja! Ti bëre apo s’bëre, ishe i varfër apo i pasur, kishe pushtet apo s’kishe pushtet, ishe i njohur apo i panjohur, një fund të gjithë kanë: ndarja nga kjo jetë, vdekja!  Mendo pak! Ç’të duhet ore njeri sikur gjithçka të të jepej, e kur të agonte dita e re, ti të kishe përfunduar në baltë, në tokë! Njerëzit përreth teje, që kurrë nuk të qortuan, le të çajnë, madje le të bëjnë çmos, nuk të kthen gjë më, ti shkove, ndërsa mbrapa vetes le një pasuri, një ëndërr të madhe, që kurrë nuk e realizove! Po vallë, ç’ëndrra pate, sa do të vlejnë më ato! Ah sikur edhe një shans të më jepej! Jo s’ka më.

Ty shansi të erdhi! Muaji Ramazan. Tani, jemi në prag, mbledh mendjen e veten, mbledh forcë e moral, e ndalo pak frymëmarrjen, fute nën kontroll, edhe logjiko për pak sekonda, e kujto këtë gjë: gjithçka mbi tokë, është prej toke, dhe në tokë do të kthehet. Zgjedh: ose ndrysho e përmirësohu në këtë muaj të ramazanit, dhe ngrihu mbi tokë, ose mos ndrysho e mos u përmirëso, edhe zhytu nën tokë!

Ty të nxit ari! Të nxit pasuria! E ç’është ari! Hiç më shumë se xehe! E ç’është malli?  Hiç më shumë se baltë. Nesër ashtu do të bëhet! Po çfarë pas arit e mallit, asgjë fare! Shko bëj një test: merre 1 ton ari, e grumbulloi pasuri një njeriu të sapovdekur, të shohim se a do t’i buzëqesh fytyra! Jo! Atij s’i duhet gjë. Edhe ai tanimë është tokë, si ari. Atëherë, merr ari tjetër. Flori që ti nuk do të kesh më frikë nga vdekja. Ty do të të shoqëroj kudo që të jesh, e lëre erën e pishinave e të brendisë së veturave, e zgjedh erën që do të jetë me ty përgjithmonë!

Shansi të ka ardhur. Është muaji Ramazan! Çdo sekondë agjërueshëm, aq më shumë i afrohesh Zotit. Një sekondë agjërueshëm, aq më shumë i afrohesh Lumturisë së Përjetshme. Era e agjëruesit është erë misku tek Zoti! Te Zoti yt! Po ti e di se ç’do të thotë Zot? Ke dëgjuar, ke ndier, ke menduar? Jo, po në mendje nuk të ka mbetur. Të është kujtuar vetëm kur je mbështetë për mure. I je lutur, e të ka ndihmuar. Sa shpejtë e paske harruar!

Dije pra, se Zoti është Ai që ti pa Të je asgjë. Ai të dha këtë shans. Muaj që ta luftosh egon, ta luftosh epshin, ta luftosh hamendjen, t’i luftosh anët e errëta të vetvetes sate!

Agjëro, agjëro, dhe shfrytëzoje çdo sekondë! Të betohem në Zot, që ty e çdo krijese ka nevojë për Të, ti atë sekondë ta korrësh me miliarda-fish! Jo, korrja e panumërt. Agjërimi ty të zgjon, të kthjell, të pastron, të forcon. Të jep epitetin rob i Allahut! E robërit e Allahut, janë fitimtarët! Janë nën përkujdesjen e të Gjithëpushtetshmit, e gjithçka përveç Zotit, është asgjë. Dije sot, se nesër nuk do të të bëj dobi më.

Ky është muaji i fundit, nuk ka më muaj tjetër të ramazanit. Po, se ti mund të sëmuresh, mund të bësh aksident në rrugë derisa dëgjon muzikë, mund të devijosh fare e të dal islami e imani nga zemra, po ti mund edhe të vdesësh! Këtë muaj që po fillon, filloje me bindje e vullnet të plotë, duke u mbështetur sinqerisht tek Allahu i Gjithëfuqishëm, edhe shfrytëzoje në maksimum.

Jo po ti agjëron në gjumë! Po, agjëron para TV-së! Jo, agjëron por zihesh me njerëz. Agjëron, e çrregulltish shkakton. E çfarë po bën: këndej ndreq, e andaj prish. Nuk mbushet thesi i shkoqtë! Agjërim do të thotë: të ushtrohesh të mendosh drejtë, të ushtrohesh të kontrollosh epshin, të ushtrohesh të zotërosh vetveten, të ushtrohesh të rrish i uritur e i etur. Të ushtrohesh të jesh durimtar! Me durim, arrin të mendosh qetë, të veprosh drejtë, edhe të arrish devotshmërinë.

Ti nuk mund ta përjetosh këtë muaj si muaj i përmirësimit, derisa të mos e përjetosh si shans të fundit. Sepse ty mund të të mashtrojnë se si njerëzit përreth teje jetojnë normal, ata nuk po vdesin, ata nuk po vuajnë, ata nuk duken mjeranë etj., etj., e pse ti pikërisht të jesh ndryshe, të përmirësohesh. Po, por ti sikur një turmë njerëzish të hidheshin në një humnerë, vallë do të hidheshe ti! Jo, po ty jeta e tyre të duket parajsë, e dëshiron të jesh bashkë me ta e si ata.

Jo për atë që Zot ka Allahun! Ti mos ji si ata. Secili njeri është peng i veprës së vet. Mos shiko se ç’bëjnë të tjerët. Ty të erdhi shansi, muaji i agjërimit, muaji i përmirësimit; MUAJI I KTHESËS NË RRUGËN E XHENNETIT! Po s’e shfrytëzove, edhe kur e keqja prangoset, ti je i pashpresë. Nuk do të meritoje më të jesh ndryshe, të përmirësohesh, pasi ti po i dorëzohesh jo Zotit, po njerëzve.

O Allah! Na ruaj nga gjendja, gjendje e njeriut të papërmirësueshëm!

O Allah! Bëj që Ummeti Islam me këtë muaj të ramazanit të zgjohet, e muaji pas tij, t’i gjejë të ndërgjegjësuar dhe të bindur dhe të nënshtruar plotësisht ndaj Teje! Dhe, të bëhen prej atyre që kërkojnë faljen Tënde dhe xhennetet Tua!

“Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhennetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan All-llahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e All-llahut që ia jep kujt të dojë, e All-llahu është dhurues i madh.” – Kur’an, 57:21

Ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem

Kur për Islam lexon!

Islami o lexues i nderuar, nuk predikon gllabërim, rrëmbim e mashtrim. Jo, edhe këtë dije se, gjithnjë e pavërteta të shpie sa në një kodër në kodër tjetër, pasi duhet të dekorohet e të zbukurohet, që të duket si e vërtetë. Por, e vërteta, dije se, gjithnjë shprehet shkurt, thjesht dhe qartë. Pra, i tërë predikimi islam mund të përmblidhej në këtë porosi: ç’robërohu nga njeriu!

Shkruan: Avni Tafili

Dije o njeri i ndershëm, që për Islam lexon, se çdo shkrues i arsyeshëm musliman shkruan nën hijen e parimit: nxit arsyen dhe ndërgjegjen për të gjykuar drejtë e pastër. Bindja e tij në atë që beson, nuk i le hapësirë që të tjerët t’i përçmojë a fyej, vetëm pse mendojnë a besojnë ndryshe. Jo, Zoti ia ndalon këtë! Islami edukon që kur mësimet e tij u komunikohen të tjerëve, të mos e bëjë veçse në formën më të butë, më të arsyeshme dhe me këshillat më të bukura.

Thirrja e çdo thirrësi të devotshëm dhe të arsyeshëm islam, thjesht thirr të tjerët i nxitur nga përgjegjësia hyjnore për t’i vetëdijesuar të tjerët për nevojat e tyre për të njohur të vërtetën, të vërtetën që secilit iu komunikua, veçse e përqafoi, përveç atij që ka zgjedhur të mos dëgjojë. Do të thotë o njeri i ndershëm, se thirrja islame është përgjegjësi hyjnore e secilit musliman të vetëdijshëm, të arsyeshëm e të devotshëm.

Le ta dijë njeriu i ndershëm, se kur për Islam shkruhet, nuk synohet shtimi i numrit të Shoqërisë Islame, jo, por më shumë dëshirohet që edhe të tjerët të shijojnë atë që veç janë duke e shijuar muslimanët e devotshëm e të vetëdijshëm; duan që edhe të tjerët të ndjejnë paqen e qetësinë e vërtetë. Sepse iu përgjigjen apo s’iu përgjigjen thirrjes islame, thirrësi nuk e konsideron humbje materiale, por shpirtërore. Nuk humb gjë materialisht, por shpirti ndjen dhembshuri!

Njeriu i arsyeshëm dhe i sinqertë duke lexuar literaturën islame, lehtë mund të vë re dhe të konsideroj se, Islami qenka një mesazh që nuk i komunikohet një shtrese të veçantë njerëzish. Edhe do të bindesh se, vërtetë, Islami peshore në vlerësimin e një njeriu prej një njeriu tjetër, është devotshmëria. Fjalë që mund të jetë e lehtë të shkruhet a të shqiptohet, por pesha e saj është tejet e madhe.

Është thënë dhe përcaktuar, se fjala e Zotit, duhet të komunikohet dhe secili njeri ka të drejtë ta dëgjojë atë. E assesi të mos bëhet fjala e Zotit shkaktare në nxitje të dhunës a të fyerjes. Një njeri që hiqet sikur i është bindur Zotit dhe fjalës së Tij, ndërsa kundër-dëshmi është sjellja, karakteri dhe veprat e tij, ai njeri nuk mund të jetë i devotshëm e as i ndershëm, edhe pse emër muslimani mund të mbajë. Pra, dije o njeri i ndershëm, se fjala “musliman” pa sjellje, karakter, e vepra, mbet thjesht një fjalë që e thotë gjuha!

Dije o njeri i ndershëm, çështja e bindjes dhe vullnetit është çështje që i takon Zotit. Ne pranuam apo refuzuam, ne nuk mund të arrimë gjithçka i bindemi apo e dëshirojmë. Prandaj, edhe kur ti lexon për Islam, dije se bindja e vullneti nuk mund të veprojë në pavarësi të plotë. Varet prej teje thjesht fillimi, e nëse është i sinqertë kërkimi i të vërtetës, vepron vullneti absolut i Zotit, mëshira e të cilit përfshiu shumëçka, dhe udhëzim fiton të vërtetën.

Më duhet të të them edhe diçka ty njeri që të vërtetën kërkon, që, kur lexon literaturë islame, nuk të takon të ndjehesh i përjashtuar apo i fyer ndaj bindjes a zgjedhjes sate të lirë, sepse, siç thamë, thirrësi islam shpreh mendimin dhe besimin, po edhe dëshirën e flaktë që edhe tjetri të njoh botën në të cilën ai (thirrës) jeton dhe e ndjen. Kjo është e drejtë hyjnore, të cilën pra ia dhuroi Zoti që kur njeriu lindi.

Ti mendo i lirë, shprehi bindjet dhe vullnetin tënd, por edhe diçka të mos harrojmë: një mendim a bindje a vullnet, po që se nuk ka mbështetje në arsye të shëndoshë është e gjykuar të mos jetojë gjatë. Një erë më e lehtë e merr me vete. E kështu, mbet i varfër, pa asgjë. Pra, dije o njeri i ndershëm, se liria ka kufij, por kufi jo të vëna që ti të sanksionohesh, por që ty të të mos bëhet padrejtësi. E s’ka padrejtësi më të urryer për njeriun kur padrejtësia e vet ndaj vetvetes e ndëshkon.

E kur njerëzimi fillon të prek majat e zhvillimit, gjithmonë sipas botëkuptimeve njerëzore, e në kohën kur toka përfshihet nga padrejtësia e tirania, e kur e drejta për të jetuar i lirë shndërrohet në çështje privilegji, e kur trazimi psikik e shpirtëror po prek njerëzit e pafajshëm me vetëdije apo pavetëdije, aq më shumë shtohet edhe nevoja që njerëzit e këtij shekulli të ndryshojnë përllogaritjet e tyre, principet e tyre të trashëguara, e të fillojnë të ç’prangosin veten e tyre nga arsyeja që s’ndriçon, e nga vullneti që dhembje shkakton e shton.

Islami o lexues i nderuar, nuk predikon gllabërim, rrëmbim e mashtrim. Jo, edhe këtë dije se, gjithnjë e pavërteta të shpie sa në një kodër në kodër tjetër, pasi duhet të dekorohet e të zbukurohet, që të duket si e vërtetë. Por, e vërteta, dije se, gjithnjë shprehet shkurt, thjesht dhe qartë. Pra, i tërë predikimi islam mund të përmblidhej në këtë porosi: ç’robërohu nga njeriu!

Dhe dije, pikërisht pse Islami kundërshton dhunën në bindje e vullnet (dhe jo vetëm në bindje e vullnet!), bëri që minaret të ngriheshin, që njerëzit e bindur dhe me vullnet, t’i drejtoheshin atyre, duke ushtruar pra bindjen dhe vullnetin e tyre.

Lavdia dhe falënderimi i takon Zotit, që zgjodhi këtë rrugë për njerëzit, rrugën e paqes, për tek Ai!

Ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem

Nuk e njihni këtë njeri!

Si do ta njohësh, kur s’di gjë sesi ai njeri edhe pse ende nuk linde, ndjeu e kujtoi për ty! Jeta e tij është gjurmë, gjurmë me dritë hyjnore! Aq më shumë të njiheni me këtë njeri, aq më shumë do ta kuptoni sesa pak dini për këtë njeri! Jo nuk e njihni këtë njeri!

Shkruan: Avni Tafili

Nuk e njeh atë njeri! Pak prej njerëzve dinë se kush ishte ai njeri. Ti vetëm ke dëgjuar diçka për atë njeri. E mendon thjesht si çdo njeri. Jo, po ta njihje atë njeri, ti tjetër njeri do të ishe. Po ti edhe do t’i përuleshe madhështisë së njerëzisë së tij! Po ai njeri nuk do të pranonte përkulshmërinë tënde; ai jetoi që ti mendjemadhësinë e paditurinë ta përulje, e egon njëherë e mirë ta varrosje! Jo ti përulu me bindje ndaj të vërtetës e të pastrës.

E ti këtë nuk e bëre, e as s’do ta bësh, derisa me këtë njeri të mos njihesh! E si do të njihesh me këtë njeri, kur ai njeri sëmundjen, që ti në të jeton, nuk dëshiron që ai të ta shëroj! Epo ti flet, e mendon, por thellësia ta kundërshton, e ti e refuzon! Për këtë njeri nuk shkruhet, e të mos rrëqethen lëkurash, e të rrahin zemrash, e të lëkunden ndjenjash! Po ç’ke ti që nuk rrëqethesh, e as zemra nuk e ndryshon të rrahurën, e as ndjenjat nuk lëkunden!

Jo, assesi, po ta njihje,  ndryshe do të ishe! Për të do të  mallëngjeheshe, e çdo sekondë e jetës tënde në kujtesë për të do të rrinte. Ti nuk mund ta kuptosh këtë! E si ta kuptosh, kur të kuptuarit tënd kufi ka kënaqësinë që preket. Po, sepse ty e padukshmja të duket e paqenë e largët,  e të vërtetën thuajse e përgënjeshtron!

Po ti ke harruar se ti brenda vetes fsheh gjene të njerëzve të mëdhenj, për të cilët jeta kuptim kishte vetëm kur njihnin të vërtetën e vetvetes! Jo ti s’je prej tyre, ti nuk dëshiron të jesh, ti gjurmon fijet e njerëzve që jetuan për jetën që vdes!

E si të njihesh me njerëzit e mëdhenj, ti je shkëputur prej tyre. Ti nuk i do ata, ndonëse ti do të dëshiroje të ishe si ata, por çka, vetëm famën, e jo veprën e karakterin e tyre. Po, sepse ti ke lexuar vetëm për famën e tyre! Vuajtjet dhe mundimet për të dhënë modelin e njeriut të madh nuk i ndjen, as sytë nuk ia hedh! E si kërkon modelin e tij, ti as nuk e njeh atë njeri.

Po sikur vetëm një këshillë prej tij ta dëgjoje, qoftë vetëm edhe një fjalë, e atë ta ndjeje duke përkujtuar sakrificën dhe mundimin, do ta ndjeje edhe shpirtin e asaj këshille që del prej një gjuhe që s’pushoi së lëvizuri që ty njeri të të linte modelin e njeriut të virtytshëm e të pajisur me moral të lartë! Jo, ti je i vogël, e as nuk dëshiron të jesh i madh, se ndryshe për të do të mallëngjeheshe, për të do të lotoje! Para fjalëve të tij do të gjunjëzoheshe me dashuri e përkushtim!

Sa i drejtë që ishte. Sa i mëshirshëm që ishte. Sa i butë që ishte. Sa zemërmirë që ishte.  Sa shpejtë zemërohej kur dikujt padrejtësi i bëhej. Sa i kujdesshëm ndaj të tjerëve ishte. Sa i sjellshëm ndaj fëmijëve ishte. Sa i drejtë e i butë ndaj kundërshtarëve ishte. Nuk ngritke dorë mbi askënd, e si të ngritke dorë, lindi që njerëzve mëshirën t’ua predikonte, urtësinë t’ua mësonte, të vërtetën t’ua rrëfente! Udhëzimi hyjnor ishte morali i tij!

Po sa shumë vuajti që ti të njihje vetveten tënde! Vuajti ndërsa e vërteta dhe fuqia tek ai ishin! Pushteti i tij ishte pushtet i pamposhtur! Me të ishte gjithçka në qiej! Atij  që në ndihmë t’i vinin vetëm një thirrje do t’i mjaftonte! Po jo, ishte shumë i dhimbshëm, shpresat për ndryshim e përmirësim nuk i humbte kurrë. Gjithnjë njerëzimit të mirën ia kujtonte! E urrente padrejtësinë, të pavërtetën, por atë e luftonte me butësi, me urtësi, e këshillë të mirë. Ishte i mëshirshëm! Pastërtia e morali ishte fuqia e pushtetit të tij!

Ai njeri që ti nuk e njohe kurrë, edhe kur e fyenin, kur e torturonin, e kur e keqtrajtonin, madje edhe kur e përgjaknin, ulte kokën duke u lutur për ta! Lutej, që ata njerëz të shihnin se ç’po bënin; po i bënin padrejtësi vetvetes!

Ende nuk po ndjen madhështinë e këtij njeriu! Jo, do ta ndjeje sikur errësirën brenda vetes ta zhdukje!

I butë. I urtë. I mëshirshëm. Po edhe i pushtetshëm. Pushteti i tij buronte prej të Gjithëpushtetshmit! Por pushtetin mbi njerëz nuk e donte, shpëtim për ta synonte! Erdhi në këtë jetë,e shkoi nga kjo jetë, që njerëzimin paqja ta përshkonte.

Si ta ndjesh, kur s’di gjë se si ai njeri edhe pse ende nuk linde, ndjeu për ty!

Sa pak dimë për këtë njeri!

I lavdëruar e i lavdishëm!  Jeta e tij ishte gjurmë e pashlyeshme, gjurmë me dritë hyjnore! Jeta e tij, që nga lindja, e që me lindjen e tij ndriçoi, e hyri në zemra para se të hynte në mendjesh, e gjer në kalimin e tij në botën që Zoti vet ia caktoi, ishte shëmbëlltyrë e njeriut të natyrshëm e të pastër! Jetoi për të dhënë jetë. Jetë njeriut, që sot ky njeri thellë në shpirt nuk e ndjen. Po, sepse ende s’e ka njohur drejtë këtë njeri! Në dorën e tij u përmbushën dhuntitë e Krijuesit që të krijoi, Allahut xh.sh..

Paqja, lavdia dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!

MUHAMMED, I zgjedhuri i Krijuesit të Gjithësisë, salAllahu alejhi ve selem!

“E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” – Kur’an, 21:107

___________________

***(Ju lutem, nëse vëreni ndonjë gjë të mangët a “të tepërt” – në të shprehur, më këshilloni e më qortoni që ta përmirësojmë. Allahu ju shpërbleftë!)

Kur dunjaja tenton të të rrëmbej!

“Kjo dunja është burgu i besimtarit dhe xhenneti i jobesimtarit.” – Hadith:Muslim

Shkruan: Avni Tafili

Jo, toka rrëmben, e ç’ka mbi të, tërheq gjithçka sheh para vetes. Toka ndalon tek ai, që forca e shqisave të tij gjen rrugën jashtë mureve; kur mprehtësia e logjikës shpon vargmale; kur pëshpëritjet e ndërgjegjes lëkundin arsyen; e kur dobësia përulet; e kur uni zgjohet e vend kërkon, tokës që shpirtra grabit, nuk është më tokë, por burg! E nga ky burg doli ai që me shpirt e me mendje shpoi e çau!

Jo për atë që ka Zot, jo për të bindurin në një Zot, jo për atë që Zot ka Allahun! Jo kurrë, ti je tokë, s’je më shumë se një vend i përkohshëm, ku në ty shërbehem për të kaluar në gjerësinë e Jetës së Vërtetë! Ti më je e ngushtë, ndonjëherë me ngushton zemrën, mendjen, e shpirtin.

Ti në sytë e disa njerëzve je madhështore, e në zemrat e disa njerëzve je bukuria vetë! Po njerëzit me të pamirit e ndjesi të tillë, mjerë, shqisat në tokë po i varrosin, logjikën me pluhurin tënd po e pluhurosin, e ndjenjat e tyre janë përzier me baltën që turbullon!

Jo për atë njeri që ka dinjitet, ka ëndrra, ka qëllim e mision në jetë! Jo ky njeri nuk dëshiron të vdes pa lënë gjurmë që s’shlyhen! Jo, ky njeri zërin e ndërgjegjes nuk e shurdhon me zhurmën e cytjeve që ti i cyt, e ty njëmend shërbëtor të kanë, e kurrsesi zotëri! Në ty jetë e rrejshme bëhet! Lum ai që ti nuk arrin ta rrëmbesh në intrigat tua!

Njerëzit që ty zotëri të kanë, brendia e tyre është lëndë që djeg, e nuk digjet veçse brendia e tij, e kush tjetër, veçse atij që atë në botën e tij e shoqëron! Këta kanë sy, por që shohin në thellësitë e tokës, e jo jashtë saj e lartë në qiej. Aty rrënjë lëshojnë, për të ëndërrojnë, e bashkë me të edhe jeta u përfundon.

Ç’ka mbi tokë e di mjaft mirë se, njeriun e ndershëm nuk mund ta grabis! S’ka fuqi që vrullin e shqisave të njerëzve të udhëzuar t’ia ndaloj të vërtetën të shoh; kur ato shpuan muret e lakmive e të trillimeve, të thanë njëherë e mirë: bëmë rrugë për të cilën jemi nisur! Të thashë se ti tokë, je shërbëtore e njerëzve të devotshëm, ja se njeriu i udhëzuar ç’bën!

Edhe sikur të mblidhej gjithçka në tokë, e të tentonte t’ua rrëmbente dritën që drejton, nuk do t’ia arrinin kurrë! Aq sa do të arrinin që tokës rrezet e diellit t’ia pengonin. Kurrë jo! Njeriu që Zot ka Allahun, nuk mund ta bëjë asgjë të ndihet i dobët, nuk i përulet askujt veçse Zotit të vet! Po, sepse ky njeri i udhëzuar ka mendje, por mendje të zgjuar, ka zemër, por zemër të pamposhtur ndaj errësirës!

Jo, s’e mashtron jeta që mbi tokë bëhet! Aty mbillet jetë, që shpirtra synon të cyt, gjithçka veçse të vërtetës, është e veshur me petkun e dekoruar e ndjellëse për mëkatim! Po jo, kurrë, ti njeriun e nënshtruar Zotit të vet nuk mund ta bësh për vete, ty rob s’të bëhet. Për këtë njeri një Zot ka, e Ai është Allahu! Jetëdhënës e Jetëmarrës, edhe ty tokë jetën do ta përfundoj!

Njeriu i devotshëm ty të ka këmbyer me një tokë shumë më të gjerë se ti! Me Jetën në Xhennet, në dashtë Allahu xh.sh.!

Jeta e këtyre njerëzve nuk kënaqet në ty. Ti je e rrejshme dhe e përkohshme. Ata duan përjetësinë, duan kënaqësi të përhershme, e ku fjalët lodhje e shqetësim s’kanë kuptim. Aty ku mirësitë janë të pafundme dhe të përhershme.

Ty tokë të ndjen, ai që thellësitë e veta nuk i ndjen, e ty të bleu ai që përjetësinë në lumturi e shiti! Ç’lumturi zgjodhi!

Ti tokë je e mirë për njeriun e udhëzuar vetëm atëherë kur zemrën e shpirtin e ka jashtë e sipër teje!

“Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S’ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk logjikoni?” – Kur’an, 6:32

O Allah! Na ruaj nga jeta që bën të harrohet bota tjetër! E na bëj prej atyre që thanë dhe veprat e jeta e tyre e dëshmoi sinqerisht atë që thanë:

“Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.” – Kur’an, 6:162

Ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem