Thirrja Islame, mision, jo profesion!

Këndellje për ata njerëz që thërrasin në Islam, jo për hir të Allahut, por për hir të vetvetes! Për vetëdijesim, ndërgjegjësim dhe rizgjim!

Shkruan: Avni Tafili

Nuk ka gjë më të lavdishme, më të bukur, e më të ndershme se sa të thërrasësh në Islam, e të jesh thirrës islam! Padyshim nuk ka fjalë më të lavdishme e më të bukur se t’u thuash njerëzve, që të mos jenë robër të epshit të tyre; nuk ka fjalë më të ndershme se t’u thuash njerëzve, që të mos adhurojnë askënd veçse Krijuesin e tyre.

Po edhe nuk ka gjë më të hidhur, e më të mjerë, e më të pandershme, se të thërrasësh në Islam, që njerëzit t’i përgjigjen epshit tënd, e jo Zotit; nuk ka gjë më të padrejtë se sa të tregtosh me thirrjen islame, duke synuar me të kënaqësitë e kësaj jete.

Si mund të thërras të tjerë për drejtësinë, kur vetë është i padrejtë; si mund të thërras të tjerë për ndershmëri, kur vetë është i pandershëm; si mund të thërras në devotshmëri, kur vetë është i zhytur në lakmitë e dunjallëkut!

Kur shfaqen njerëz që thërrasin në emër të Islamit, ndërsa veten e tyre e lënë në harresë, dije se, gjendja është gjendje agonie, kllapë dobësie!

O rob i dunjasë! Mos fto në adhurim ndaj Krijuesit tënd përderisa të mos e çrobërosh veten nga adhurimi i dunjasë; dije se, kjo gjë ty vetëm sa do ta ushqej egon, epshin, paditurinë. Po ti llogari do të japësh! Dhe jo vetëm ndaj vetvetes, por edhe ndaj të drejtave të të tjerëve, për të dëgjuar fjalën e sinqertë e të devotshme, fjalë që e dëshmon vepra, e vepër që e kryen devotshmëria.

Mos luaj me ndjenjat e njerëzve. Mos luaj me sinqeritetin e të tjerëve. Mos luaj me shpirtrat e njerëzve! Ata njerëz të dëgjojnë, sepse mendojnë se thirrjen në Zot e ke mision, e jo profesion që tregton për dunjallëk me të! A nuk ke frikë Zotin? A nuk logjikon? A nuk ke zemër që ndjen?

Thirrja Islame është mision! Është veprimtari e njerëzve të devotshëm. Lëvizje e njerëzve që jetën e tyre ia kushtojnë të vërtetës, të drejtës, të pastrës e të bukurës. Mision i njerëzve të zgjedhur të Zotit; të cilët gjithçka sakrifikonin për thirrjen e tyre! Mision i njerëzve që nuk jetojnë për lëvdatat e njerëzve, e as për xhepat e tyre, por vetëm për kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë!

Padituria falet. Por padrejtësia jo!

Harresa falet. Por qëllimi i keq jo!

Thirrja Islame është përgjegjësi! Po thirre duke qenë i paditur falet, por t’i hutosh njerëzit nga rruga e drejtë, duhet të ndëshkohet. Sikur të mos ndëshkohej, padrejtësia do të shtohej. Po edhe mund të harrosh diçka kur thërret në Islam, e kjo falet, por të fshehsh të vërtetën, jo nuk mund të falet!

Dije, o njeri, se Allahu falë, por nuk falë shirkun, nuk falë fjalët e veprat që bëhen pengesë e njerëzve për të arritur tek Ai, nuk e falë shitjen e fesë së Tij!

2 Comments

  1. Fatoni says:

    Komenti im rreth shkrimit Thirrja islame, mision,jo profesion. Ti Avni ja ke qellu, sepse disa njerez e kane instrumentalizu Islamin per qellime jo fisnike, per te kesaj bote. Fatkeqesia me e madhe eshte kur Islamin e keqperdorin.

  2. Adnilr-@ says:

    InshAllah jemi prej atyre që pavarësisht çka na ofrojnë për këmbimin e Islamit, nuk luhatemi për mos t’mendojmë më shumë, mos të korruptojmë mendjen, mos ta shesim ahiretin e përjetshëm për dynjanë mashtruese..

Leave a Comment