S’ishte idhujtar!

d8a7d984d984d987-d986d988d8b1-d8a7d984d8b3d985d8a7d988d8a7d8aa-d988d8a7d984d8a3d8b1d8b6“Ai nuk ishte nga idhujtarët” – Kur’an, 2:135

Shkruan: Avni Tafili

Veç atij që me shkëlqimin e yjeve të stolisur, hutohet, e me ndriçimin e hënës, magjepset e vetes magji i bën, e me dritën e diellit humbet rrugën!

Kurrë nuk ka për të triumfuar e pavërteta mbi të vërtetën.

Qielli i hapur. Mendja e kthjellët. Zemra e zgjuar. Shpirti i pastër. Me ndërgjegje të natyrshme. Kush, kur ngreh sytë në hapësirën e qiellit, e zbuloi atë që mbajnë prej argumenteve dhe shenjave, urtësish e madhështish, dhe i pastër në arsye e në ndërgjegje, jo s’mund ta çojë në idhujtari! Jo, kurrë, nënshtrohet i përkulur, i përulur, me madhështi dëshmon se ka Zot, ka Krijues, Rregullues, Formësues!

Jo, s’ishte idhujtar Ibrahimi – paqja dhe lavdia e Allahut qoftë mbi të, e dëshmoi bindjen para se ta deklaronte, pa dhe u bind. Bindja e tij nuk mund të rezistohej nga intrigat e askujt; as nxehtësia e zjarrit, i ndezur fortë. Ishte i nënshtruari, i binduri, i pastëri! Ai, që në dashuri ndaj të Dashurit, Allahut të Plotfuqishëm, desh e sakrifikoi si prind i dhembshëm, i dashur e i butë edhe të birin Ismail, kur me të u sprovua.

Idhujtar s’ishte! E si mund të jetë idhujtar, kur thikën ia vendosi të birit të vet në qafë vetëm për të dëshmuar besimin në të fshehtën! Allahun nuk e kishte parë! Por, pa argumentet e Tij, që shumë sy njerëzish sot janë verbuar prej atyre të vërtetave. E Ibrahimi – paqja dhe lavdia e Allahut qoftë ndaj tij, i pa, i vështroi, ra i përulur në tokë, në adhurim dhe lavdërim ndaj Zotit të vet!

E kush ka këtë forcë të besimit! Ai ishte Ummet! Ishte një njeri i vetëm, por veprat e tij, janë të mëdha, sakrificat e tij janë madhështore! Fuqia e besimit të tij në Zotin e vet, mbështetje e madhërishme në Zotin e qiejve e të tokës, la në shkretëtirë familjen e tij! E braktisi, për të respektuar urdhrin e Allahut! O çfarë sakrifice! O sa bindje e plotë! O ç’mbështetje e tërësishme në Zotin e çdo gjëje! E la në mes të shkretëtirës, nuk kishte ujë, nuk kishte ushqim, e si o ummeh! Ia la Zotit të vet, sepse Allahu premton, premton përkujdesje ndaj robërve të Vet, e kush iu bind plotësisht, iu bind i dashuri për Zotin që krijoi çdo gjë.

E kush ka forcë të dëshmojë të kundërtën! E kush mund të mohojë pastërtinë e besimit në një Zot, të pashoq, të këtij njeriu të madh, njeriut mik i së vërtetës, i dashur i Zotit të qiejve e të tokës dhe ç’ka në to! Veç atij që me shkëlqimin e yjeve të stolisur, hutohet, e me ndriçimin e hënës, magjepset e vetes magji i bën, e me dritën e diellit humbet rrugën! Po ky, ky është mohues! Po ky, është idhujtar! E kurrsesi Ibrahimi alejhi-s-selam! Ai ishte besimtar, musliman i pastër!

Jo, nuk ishte idhujtar! Nuk i trembej askujt! Sa shpirt i pastër! E kur ballafaqohej me të kotën, me urtësi e pastërti shpaloste të vërtetat para syve të njerëzve të dehur në epshin e tyre, të verbët ndaj argumenteve të Zotit!

Idhujtar s’ishte! Ibrahimi – paqja dhe lavdia e Allahut qoftë mbi të, e dëshmoi pastërtinë duke ndjekur pastërtinë. Jo, nuk ishte idhujtar, por qe i dashur i Zotit, gjeti Zotin e vet, duke medituar; zgjodhi rrugën e Zotit që e krijoi; pat arsye të shëndoshë. Nuk e magjepsi madhështia e krijesave të Zotit, por e Madhëroi vetëm Një Zot, të pashoq, Allahun e Gjithëpushtetshëm!

E kush ka guxim të pluhuros personalitetin e këtij njeriu, përfaqësues i bindjes dhe arsyes, veç i pluhurosi me të koten; i zhyturi në epshet e veta, i humburi në pafundësinë e cytjeve djallëzore!

Jo pra! Nuk mund të njollos askush atë që bindshëm e tërësisht i është nënshtruar të Gjithëpushtetshmit! Ibrahimi – alejhi-s-Salatu ve-s-Selam ishte i devotshmi, i pastëri, i plotbinduri! Orientoi njerëzimin drejt të menduarit të thukët, të arsyetuarit të shëndoshë, të zgjedhurit të mençur. Zgjodhi Përjetësinë, braktisi të përkohshmen. Luftoi, në njërën anë arsyen, e në tjetrën anë bindjen.

Njerëz të mëdhenj, janë të patremburit kur plotësisht binden ndaj të vërtetës; nuk i lëkund as flaka e zjarrit! Njeriu që çau folenë e idhujtarisë, e rrënoi të pavërtetën me duart e veta, duke thirrur në të vërtetën, nxiti për zgjim të ndërgjegjes, e kujt pra i nxitet ndërgjegjja, jo atij që pason kënaqësitë fizike; e kush i thërret mendjes, jo ai që i nënshtrohet epshit të vet; e kur zemrat kuptojnë, kur me pastërti në të arsyetuar e me ndërgjegje të zgjuar vështrojnë argumentet!

E rrënuar është idhujtaria, idhujt bashkë me idhujtarët! Idhujtari, kur madhërohet krijesa e jo Krijuesi. E idhujt, të paaftët! Idhujtarët, mendjelehtët!

Kurrë nuk ka për të triumfuar e pavërteta mbi të vërtetën, sa mund të triumfoj mendjelehti ndaj të urtit! Kurrë pra s’janë të barabartë të diturit me të paditurit.

Elhamdulilah ala niëmeti-l-huda ve-l-Islam!

2 Comments

  1. mirgeta says:

    selam alejkum menyra si i trajtoni ceshtjet eshte per tu admiruar, lehte thjesht dhe qarte, sic eshte potencuar ne faqe. ju lumte

  2. Fatoni says:

    Ibrahimi a.s. nuk ishte idhujtar, mirepo rrugen e vertete e gjeti me argumente. Ai e pa te paverteten derisa u bind se nuk duhet besuar. Ai, pa yllin, henen dhe diellin dhe tha keta jane Zotat e mi, por kjo ishte urtesi, qe te bindej se idhujtaria eshte mendjelehtesi.

Comments are closed.