Pikëllohu, mos u gëzo!

34343545345O Ummet! Qani, mos qeshni! Pikëllohuni, mos u gëzoni! Më e ndershme të ulim kokat, e të pendohemi, e të kërkojmë faljen e Zotit tonë!

Avni Tafili

O pena ime, o gjuha ime, o zemra ime; bërtit, lëviz, lëkund.

Pikëllim, po! Gëzim, jo! Si mund të gëzohet një musliman, kur vëllai i tij musliman vritet në një vend tjetër; si mund të gëzohet një i ri, kur të rinjtë muslimanë në vend tjetër masakrohen. Sot, u shtruan sofrat, ndërsa në Palestinë ka kohë që janë të shtruara sofrat e gjakut, të tmerrit, të varfërisë! Fëmijët tanë buzëqeshin, e si t’u buzëqesh! Duhet të qajë! T’i shtrëngojë njëherë për fëmijët e braktisur, për fëmijët e traumatizuar; për fëmijët muslimanë në Vendet e Uzurpuara! E pastaj, t’i shtrëngojë, e të mos ua prishi harenë.

Si mund të festoj, derisa gjaku i muslimanit po derdhet; unë duke shtrënguar duart e vëllezërve të mi, ndërsa armiku duke ua këputur zemrat vëllezërve diku tjetër; si mund t’i gëzohem, motrës muslimane kur feston, derisa motrat muslimane në këndin tjetër të Tokës duke iu persekutuar nderi e dinjiteti!

Jo, nuk kam gëzim! Muslimani le të qajë! Të mos më buzëqeshë! A nuk duhet të jenë muslimanët sikur një trup? Trupi ynë është duke u vrarë, duke u masakruar, duke u kallur, duke u dhunuar. Palestinë. Irak. Çeçeni. Afganistan.  E gjetkë… O ç’gëzim është, kur vëllezërit e motrat e mia muslimanë nuk mund të thithin ajër të pastër; si mund të mos pikëllohem, e si të marr frymë lehtë, kur qielli muslimanëve mbi kokat e tyre u është rënduar; i mbushur plot barut, plot armiqësi e dhunë!

O Ummet! Qani, mos qeshni! Pikëllohuni, mos u gëzoni! Më e ndershme të ulim kokat, e të pendohemi, e të kërkojmë faljen e Zotit tonë, e të na e zgjojë ndërgjegjen, e të na i kthjellojë mendtë, e t’i themi mjaft copëtimit, mjaft dhunës, mjaft derdhjes të gjakut të muslimanit; Kudo qoftë! Nuk është i kënaqur Zoti me ne, përderisa ne gëzohemi, buzëqeshim, festojmë hareshëm, ndërsa robërit e Tij luftëtarë në rrugën e Tij braktisen nga vëllezërit e tyre!

O s’ka zgjim, o s’ka përmirësim, o s’ka bashkim, përderisa kur vetëm një pikë loti derdhet, kudo qoftë ai sy i pikëlluar, e ty të të mos pikojë syri; jo s’ka afrim të zemrave e të shpirtrave, e as forcim të trungut të Ummetit, përderisa nuk lëndohemi, kur lëndohen vëllezërit e motrat tona.

Kujt i ke frikë t’i thuash: nuk buzëqeshi! Kujt i ke frikë t’i thuash: nuk gëzohem! Kujt i ke frikë t’i thuash: nuk më festohet! Kujt i ke frikë t’i thuash: për mua s’ka hare përderisa të mos ketë për Të Gjithë!

Zgjohu! Ndjej vëllezërit e motrat tua muslimanë! A mos pse ata kanë tjetër ngjyrë. O mjerim! A mos vetëm pse ata flasin gjuhë ndryshe nga e jotja. O dëshpërim! A mos vetëm pse ata janë të dobësuar, të varfëruar, të pushtuar?! O padrejtësi!

Jemi një! Nuk mund të ndjehem i plotë sikur një edhe një gisht të më lëndohet. E si mund të ndjehem i qetë, kur krahun e këmbën më kanë këputur! E si mund të fluturoj në qiellin tim, kur pjesën tjetër e kanë copëtuar! O a ka mendje që mendon, a ka zemër që dallon, a ka shpirt që ndjen!

O pena ime, o gjuha ime, o zemra ime; bërtit, lëviz, lëkund. Bërtit, le të pëlcet kupa qiellore, le të më dëgjojnë pjesa tjetër e Ummetit, se ka Zot që i ruan; Lëviz shkëmbinjtë, lëviz malet, lëviz zemrat e armikut nga vendi i tyre, ta kuptojnë se fundi i tyre është afër; Lëkund tokën, t’u dridhet nëntoka arrogantëve e tiranëve, e ta kuptojnë se dënimi është në prag!

Sa i pafuqishëm jam. Por Zoti im sa i Fuqishëm që është! O Allah, trego fuqinë Tënde kundër arrogantëve e tiranëve; sa i papushtet jam, por Zoti im sa i Gjithëpushtetshëm është! O Allah, trego Pushtetin Tënd kundër armiqve Tu e të robërve Tu!

O Bijë të Islamit! Pikëllohuni, e mos u gëzoni, pendohuni e kërkoni falje, zgjohuni e përmirësohuni; bashkoni radhët e bëhuni ushtarë të së Vërtetës; robër të sinqertë të Krijuesit, të Jetëdhënësit e Jetëmarrësit, të Atij që në dorën e Tij është i gjithë Pushteti.

O Allah! Ty të mbështetem, prej Teje ndihmë kërkoj, na udhëzo e na falë! Ndihmo ushtarët e Tu të sinqertë e të devotshëm, e ruaji të rinjtë e të rejat tona kudo që janë, e mbroji motrat tona nga dora e zezë dhe e shëmtuar; shkatërruar qofshin armiqtë e Zotit dhe të robërve të Tij.

HasbijeAllah ve niëme-l-vekil

Rruga drejt Allahut

allah Allah! Më bëj të jem vetëm rob i Yt!

Avni Tafili

O sa e varfër është gjuha ime!

ALLAH! Ndjej mëshirën. Ndjej butësinë. Ndjej madhështinë. Rrugë që të përshkon tërë qenien, të zgjeron zemrën, të qetëson shpirtin. Rrugë, po e përshkove, humbasin kuptimin fjalët që i thotë gjuha e edukuar; s’ka më dhembje, s’ka më dobësi, s’ka më lodhje, s’ka më dëshpërim; edhe sikur të çahej toka para teje, e të grabiste krijesat; e të shkuleshin shkëmbinjtë, e të shkapërderdhej qielli; e të vdiste gjithçka! I përshkuari në rrugën e Sundimtarit; je i paprekur, ke shpirt, mendje, të kapur për një lidhje, s’ka shprehje, s’ka fjalë, s’mund të përshkruhet lidhja; toka është e dobët, krijesat në të janë të dobëta; Jo, s’shpjegohet, ndjehet thellë, thellë në brendi!

Adhurues i Sundimtarit! Ke ndierë. Ke menduar. Ke folur. Ke dëshiruar. Je lartë. Je në qetësi. Ke jetë.

O sa e varfër është gjuha ime!

I Mëshirshmi! Kur në thellësitë e shpirtit ndjen mëshirë. Ndjen butësi e falje. Je penduar. Ke turp. Ulë kokën. Zemra të qan. Syri të loton. Lëkura të rrëqethet. Shpirtin e ndjen. Fytyra të skuqet. I ruajtur. Guximtar. Plotshpresë. Zgjohesh. Zgjimi; përmallimi për Zotin! Të do, e do. Zgjohesh, përmirësohesh; i dobët, pendohesh, loton e përulesh, i bindur në Mëshirën e Tij.

O sa kënaqësi ta nënshtrosh tokën! Krijesën! Të madhërosh të Vërtetin; të mos trembesh, të mos kesh frikë, të mos ndjesh vetminë, të mos ndjesh asgjë veçse jetë, jetë, jetë plot jetë! Kur tërë qenien tënde ia nënshtron Atij që i takon sundimi i qiejve e i tokës; të Butit, të Urtit, Allahut!

O si mund të mos ndjehet, kur të mbulon mëshira e falja e Tij! Kur të pikon syri, kur të gjallërohet zemra, kur të lëvizin gishtërinjtë duke madhëruar Zotin e tyre. O kënaqësia vet! O lumturia vet!

Zgjohu! Ndjej! Të lutem mos i bën padrejtësi vetes. Ndjej. Ki turp. Ki mëshirë ndaj vetes. Sa shumë i mungon Zoti i saj. Mos moho, mos përgënjeshtro e të të mbulohet mirësia; përqafoje të vërtetën, përshkohu, zhytu, të pret amshimi, të pret dashuria e ngrohtë që nuk di të shuhet, e të pushojë, të pret Mëshira e Falja e Zotit tënd!

Po lexon. Mos i mbyll kapakët e syve. Të dhembin sytë. Kush t’i krijoi, ato kapakë, që të hapen e të mbyllen; me lotët e tu të pastrohet drita e syve. Syri, o sy njeriu, ke Allahun që të sheh, të dëgjon, kërkoje udhëzimin e Tij, kërkoje Jetën e Vërtetë.

Le të rrjedh syri lot, e le t’i përshkojë anët e hundës. Le të ngrohet fytyra me lotin e Dritës së Zotit tënd. Të dha jetë. Ke jetë. Po lëvizë. Noto bashkë me lotin, kur rrjedh për Zotin e tij, shijoje ëmbëlsinë e zemrës, kur me Zotin e saj qetësohet, kënaqet.

O s’kam fjalë. O gjuhë! Sa e paaftë je. Mos më lëvizë. Ma përkujto Zotin që më mëshiron e më falë, e ndaj meje është i Butë, Falës, Mirënjohës, Durimtar. O Zoti im! Allah!

Bujar. I Madhërishëm. I Gjithëdijshëm. Çlirues. Më hap dyert e qiellit, më largo nga toka, që mua po më bën të padrejtë, është krijesë e Jotja. Më bëj rob Tëndin. Ti po më dëgjon, po më sheh, po më vështron. Ti më mbikëqyrë. Më udhëzo. Më drejto në rrugën Tënde. Më mundëso vetëm pak të shijoj praninë Tënde.

Jam i varfër. Jam i dobët. Jam mëkatar. Jam i gabueshëm. Nëse s’më falë, nuk i drejtohem askujt! Te Ti është e tërë mirësia. Ma nënshtro trupin tim, të mos e dëgjojë askënd përveç Teje; më bëj ta sundoj vetveten time, të mos i nënshtrohet askujt përveç Teje.

Më ngulitet të pamirit, e më shtanget, më qetësohet të dëgjuarit e më thërrasin,  më prehet të menduarit e më këndellë, më noton  të vështruarit e më dridh,  më ngrohen të ndijuarit e më zgjojnë.

Flas. S’di të flas. S’di të shprehem. Nuk mund të shpjegohem. Po sa shumë forcë ndjehet, po sa shumë ngrohtësi përjetohet, kur rrugën e Allahut, përpiqet njeriu ta përshkojë.

Më fal o Allah! Më bëj të jem vetëm rob i Yt!

I varfër tek Allahu, i pavarur prej krijesave të Tij!

Motivi

000000001Motivi! I paaftë, u aftësove; pa botëkuptim, bëre; nuk dalloje, dallove; i pasigurt, u sigurove; ndjeheshe i vetëm, u shoqërove. Prindërit të lanë. Ti u largove; çave muret e shtëpisë, u përzjeve me njerëz, prapë mbete vetëm!

Shkruan: Avni Tafili

Motiv! Përkujdesja hyjnore! Zoti, që të ushqeu, të dha formë e të udhëzoi.

Mendon, bie në dëshpërim. Kujton, ndalon. Krahët këputen. Të menduarit s’noton. Qielli para syve të mbyllet. Toka të ngushtohet.

Të kthehemi në fillim. Ti sot ke lindur. Je ende foshnje. Të ushqen e ëma. Ende s’ke filluar t’i lëvizësh gishtërinjtë. Kapakët e syve sa kanë filluar të valëviten nga drita. Mbahesh në prehrin e nënës. Je i pavetëdijshëm. Ende s’je në gjendje të njihesh me atë që të rrethon.

Thellë në shpirt – sado që sot si i rritur, nuk mund ta kujtosh qetësinë dhe prehjen që ndjeje si foshnje; pavetëdije ndjeje qetësinë e sigurinë. Ishe i mbuluar prej mëshirës së nënës. Për gjithçka po përkujdeset, ti s’po lëvizë e s’po bën gjë. Po të ushqen, po të shpëlanë, po të vesh, je në përkujdesje në çdo imtësi.

E kalove etapën e foshnjërisë. Ke filluar të njihesh me të ëmën. Gjuha s’po ta pëshpëritë ende emrin “nënë”, por zemra po e thotë. Po ndjen vështirësi. Kur e sheh dashurinë e saj, mëshirën dhe sigurinë që të jep, ti ndjen varësi ndaj saj. Nuk mund të rrish asnjë sekondë pa të. Këtë e ke zbuluar kur të ka humbur sysh, ti ke filluar të qash; këtë e mban mend.

Të dolën dhëmbët, t’u zhvilluan muskujt, tani ke filluar të formosh tinguj, të theksosh germa, të shqiptosh fjalë. “Nënë”, fjalë që po të flenë në zemër. Ke filluar të ndjesh madhështinë e mëshirës, bukurinë e dashurisë. Këmbët të janë forcuar, duart. Koka të është zhvilluar, shqisat të janë funksionalizuar; sheh e dëgjon mirë, prek e shijon, mban mend.

Ke filluar të flasësh, të kërkosh, të shprehësh gëzimin e hidhërimin; po edhe inatin e xhelozinë. Po i dallon ndjenjat qartë. Kur gëzohesh, buzëqesh, ndjen kënaqësi, kur hidhërohesh, të dhemb fyti nga të qarët, të shteren fijet e zërit; kur kërkon diçka e s’të jepet, ulesh e qan, nëse askush s’të përkëdhelë, inatosesh, e kur e merr atë që dëshiron, ndonjëherë ndjehesh mendjemadh, i përkëdheluri.

Ende je i paaftë të zgjedhësh. Prindërit të mbajnë afër. Ti kur atyre u shmangesh, kur të vijnë pas, sa fillon të ndjesh rrezikun, prindin e gjen pranë.

Tani je duke ecur, je duke folur, je duke u njohur me njerëzit përreth. E ndjen praninë e prindërve. Të familjes. Ke filluar të dallosh ngjyrat, shijet. E bardha s’është më sikur e zeza. Hidhësia jo si ëmbëlsia. Ikë prej zjarrit. E kap në dorë lodrën. Por ende sillesh rreth prindërve. Nuk je i sigurt në vetvete. Prindërit vazhdimisht të këshillojnë, të shpjegojnë.

Prindërit! Ti po rritesh. Po ecë drejtë dhe sigurt. Po mendon, je ndërgjegjësuar se je krijesë; njeri. Po harron vështirësitë; frikën e pasigurinë. Tash je i fortë, edhe mund të vraposh; t’i kapërcesh pengesat. Ende ndjen frikë të vetmohesh. Je i shkurtë, këmbët e shkurta, je i ngadalshëm. Por ke një botë të madhe brenda vetes; ke filluar të shikosh me sy të mendjes.

Ke çarë muret e shtëpisë. Nuk endesh nëpër oborr të shtëpisë, që dikur të dukej vend i huaj. Po tani ke dalë edhe jashtë shtëpisë. Mirëpo, ende qëndron pranë mureve të shtëpisë. Mbështetesh për mure duke vështruar sesi ecin, flasin e veprojnë njerëzit. Pas një vështrimi të gjatë, i mbështetur për muret e shtëpisë, ke zënë të mendosh rreth asaj që shihje; të pyesësh.

Ke zënë edhe miq. Shokë të lagjes e të shkollës. Po shoqërohesh. Po komunikon. Fillove të ndjehesh i ndarë, i pavarur; të ndjesh brenda vetes personalitet…

Mëshira e të ëmës, të nxiti të frymosh i sigurt; shprehja e fjalës “nënë”, të flasësh; përkujdesja e prindërve, të rritesh e zhvillohesh etapë pas etape; loti, për kërkesat tua; buzëqeshja, shenjë e kënaqësisë; dashuria, prehje e shpirtit; siguria, identiteti; këshilla e qortimi, të kuptuarit e dallimi; pasiguria e hezitimi, kureshtjen; hapësira, toka e qielli, njerëzit, nevojat e kërkesat, inspirim e motiv.

Motivi! I paaftë, u aftësove; pa botëkuptim, bëre; nuk dalloje, dallove; i pasigurt, u sigurove; ndjeheshe i vetëm, u shoqërove. Prindërit të lanë. Ti u largove; çave muret e shtëpisë, u përzjeve me njerëz, prapë mbete vetëm!

Motivi! Kush të ushqeu, kur duart e nënës s’të preknin dot? Kush u përkujdes për ty, kur prej syve të të ëmës humbje? Kush ishte me ty, kur prindërit të harronin? Kush të mësoi të mos qorroheshe, kur gishtërinjtë e tu lëviznin pavetëdije?

Mund ta imagjinosh veten sot ashtu, si fëmijë, i pafuqishëm e i paaftë për të reaguar në situata të rënda, e me këtë vetëdije që je sot, të mendosh se ishe i pambrojtur? Sigurisht, se ti mbroheshe, edhe kur ishe vetëm!

A s’të mjafton motiv, kjo përkujdesje hyjnore, kjo mbrojtje, që të ka shoqëruar çdo çast të jetës?

Zoti që të krijoi, të zhvilloi e të dha formë, të ushqeu në bark të nënës! U përkujdes për ty, edhe pse ti ishe i pavetëdijshëm për këtë. Jo e ndjen mëshirën e Zotit tënd, kur je në ndonjë situatë të papërballueshme! Motiv, s’të mjafton Zoti yt?  E të jetosh, e të veprosh në rrugën e Tij?

E Zoti, që të krijoi, gjithnjë ishte me ty! Zoti, më i Mëshirshëm se e ëma jote, edhe nëse të gjithë njerëzit të të braktisnin, Zoti s’të braktisi e s’të braktis! Të do, e të krijoi. A ka motiv më të fuqishëm e më të pavdekshëm, se të jetosh për Zotin tënd?

Jo kurrë! E pra, le të të mjaftoj Zoti yt. Nuk ke nevojë për motiv tjetër. Sidoqoftë gjendja, Allahu i Madhërishëm është Ai që përkujdeset, Ai që mëshiron, Ai që furnizon!

Elhamdulilahi rabbi-l-alemin

Shkruaj e pëshpërit!

9539534Kur shkruan ndonjë fjalë të padrejtë, vendose në murin e dhomës ku flenë, mu pranë shtratit të gjumit. Çdo herë para se të flesh, ta qortosh vetveten..

Shkruan: Avni Tafili

Bërtiti zemrës, nxirre ç’ka brenda. Me forcë! Në mos me hatër.

Guximi! Vullneti! Shpresa! Fjalë të trilluara, kur s’i ke provuar! Ke lexuar, por s’po sheh përmirësim? Kujto ditën e Llogarisë. Ji i sinqertë, do ta kuptosh sa ke ndryshuar. Ti dëgjon, komunikon, ke interesim e je orvatur, ke ndenjur në ndenja të dijës, ama, në çastin kur shkëputesh, largohesh, harron gjithçka. Fale namazin! Jo në bashkësi, hyr në dhomë, vetmohu, rri i përulur me ballë në tokë, mos u ngrit, le të të dhemb koka, le të të skuqet fytyra nga gjaku i mbledhur, mundohu pak, loto, përkujto se, ke përcjellës, për çdo fjalë, për çdo sjellje.

Mos e mashtro veten, urreje këtë vetvete, poshtëroje ngurtësinë e zemrës. Je shqetësuar, je mërzitur, të ka prekur epshi, merr abdes! Fresko enët e gjakut. Koha e namazit nuk është afër, prapë, merr abdes, rri me abdes. Je zgjuar me vonesë, ke përtuar të falesh me kohë, merr abdes. Mos rri pa abdes asnjë sekondë. Nuk falesh, provo të mos hash pra! Mos pi ujë, ndje etje! Përndryshe, shkruaj e pëshpërit: unë s’dua të përmirësohem! Mos i pëshpërit arsyetimet; trillimet.

Thuaj, shkruaje. Pastaj lexoje. Thuaj ç’të duash, pastaj vlerësoje veten me veten tënde! Shiko në pasqyre e thuaji vetes: kush je ti, që s’ndryshon? Pse më mban peng? Unë dua të përmirësohem. Ç’të dukem unë ty? Trup arre? Mos e thyej pasqyrën, dil në natyrë, inspirohu me natyrën e pastër, e të rregulluar. Ik prej njerëzve. Mos rri me asnjë. Vetja jote duhet të edukohet. Duhet të vuajë. Luftoje! Ç’ka që nuk përmirësohet? Lexon. Dëgjon. Këshillohet. Qortohet. Prapë e njëjta vetvete. Bërtiti zemrës, nxirre ç’ka brenda. Me forcë! Në mos me hatër.

Thuaj, e shkruaj, bëhu peng i fjalës së drejtë. Kur shkruan ndonjë fjalë të padrejtë, vendose në murin e dhomës ku flenë, mu pranë shtratit të gjumit. Çdo herë para se të flesh, ta qortosh vetveten: ti s’di, ti s’ke turp, ti s’ke inati, ti s’ke guxim. Para se të flesh, thuaji lutjet para gjumit, edhe fli. Kur të zgjohesh, pasi se ta falënderosh Zotin që ta ktheu shpirtin, prapë lexoje letrën ku i ke shkruar përshtypjet e tua, fjalët e padrejta, të shpifura, që në fakt ti s’do i meritoje, e prapë përsëriti qortimet e mëparshme.

Dëshpërohu! Po, le të të dëshpëroj gjendja. Merr abdes! Pendohu, kërko falje, e rri me ballë në tokë i nënshtruar Zotit tënd. Mos u ngrit. Bëhu qortues i ashpër ndaj vetvetes. Të tjerët po përmirësohen, të tjerët m’i kujtojnë përgjegjësitë e detyrat, e unë vetëm them i hutuar “Po, ashtu është!”, thuaje të kundërtën, thuaj: “Të lutem më godit pas shpine me një shkop”, deri në 80 goditje, s’e meritoj të ecë shtatdrejtë, të eci më mirë i kërrusur. Le të poshtërohem. Le të turpërohem. Të paktën, le të qortohem haptazi.

Zgjohu prej gjumit. Si të flihet? Zgjohesh, po i njëjti njeri. Po të njëjtat shprehi. Po të njëjtat fjalë. Po të njëjtat mendime. E qorton, kinse, veten, po me të njëjtat qortime. Jam i dobët, jam i paaftë, më është dobësuar besimi, nuk e kam shoqërinë e mirë, jam kështu e ashtu! Thuaji vetes ndryshe sot: mos trillo e mos u mashtro! I ke të gjitha, por je mohues i të mirave.

Që sonte, shkruaj në letër qortimet, të metat, dobësitë, edhe lexoj e vazhdo t’i lexosh, derisa të kesh turp sinqerisht prej vetvetes!

Allahu na udhëzoftë!

I vetëm je, këndelle veten!

151311Jeta, ti vdes. Kur ti vdes, ke pyetur: ç’jetë do kesh?

Shkruan: Avni Tafili

Braktis ata që të braktisin kur ti vdes.

As babë e as nënë, as vëlla e as motër, as grua e as mik, i vetëm në errësirën dhe ngushtësinë e varrit. Asgjë, gjithçka ke lënë pas vetes. Ti more atë që besove dhe veprove. Po s’u binde, vështro një të vdekur; çka mori me vete. Bindja e vepra është shënuar. Dunjanë ka braktisur.

Oj vetvete, kur qortoheshe, ti kundërshtoje; jepeshe pas kënaqësive të një jete, që sot sa shumë e urren; sa shumë që dëshiron të ktheheshe në të, jo t’i shijosh stolitë e saj, por që të bësh atë që s’e bëje; të mbash kokën të përulur ndaj Zotit, që të mori shpirtin, e ti e pavetëdijshme ndaj atij çasti!

Ç’ke që ngreh kokën, je shtangur. Errësirë e plotë. Nuk mund të bësh më asgjë. Mjerim. S’dëgjoje, kur këshilloheshe, bëheshe si e shurdhët, e përqendruar në epshe. Sot je mbuluar me një pëlhurë të bardh, edhe ajo pëlhurë është duke u kalbur. Ti s’more asgjë, gjithçka le pas vetes.

Loto, bërtit, nuk të sheh kush pikën e lotit, e as të dëgjohet britma e pikëllimit. Ishe në gjerësinë e tokës, t’u dhanë të gjitha, toka e shtrirë, qielli i hapur e strehë, shëndeti, uji të shuash etjen, bimët e ushqime të ndryshme; t’u sqaruan argumentet, jeta e bimës dhe vdekja e saj; vyshkja dhe përtëritja, dielli dhe hëna, dita dhe nata, nxehtësia dhe ftohtësia; jeta dhe vdekja, vdekja dhe ringjallja!

Jo më. Mos loto. Mos qaj. Sa mjerim. Çfarë fundi. Të është ngushtuar toka, siç të qe ngushtuar kraharori nga e vërteta; kur të kumtoheshin fjalët e Zotit që të mori shpirtin, ty s’të rrëqethej lëkura, po as kapaku i syve s’të lëvizte; e kur thirreshe të pasoje e të respektoje të dërguarin e Allahut, Muhammedin – salAllahu alejhi ve selem, ti s’dëgjoje, shtireshe si s’kuptoje, të dukeshin fjalësh të pavlera.

Sot, je në varr o shpirt i rënduar, o shpirt i harruar! Oj vetvete, more atë që e kërkoje? Ti Zotin plotësisht s’e besoje, tani u binde! Ti s’ishe e sigurt në të fshehtën, në jetën pas vdekjes, e sot, sytë të shpojnë, çajnë hapësirat, si hekuri gurin!

Oj vetvete! Ende je në tokën e gjerë. Ende ke frymë. Ende jeton. Ende lëvizë. Vështro. Lexo. Dëgjo. Ndrysho. Mjaft më mëkatit. Mjaft më padrejtësisë. Mjaft më papërgjegjësisë. Zgjohu e përmirësohu! Për hir të Zotit që të nderoi, ndero vetveten, jeto i pastër, jeto i gjallë, para se prej vdekjes të rrëmbehesh.

Ti s’do jesh shpirt i rënduar dhe i shqetësuar, nëse zgjohesh, e këndell ndërgjegjen, i thërret mendjes, noton në argumentet e jetës dhe vdekjes, mediton si filloi krijimi, urtësitë e krijesave, bukurinë e krijimtarisë, do të të ndërgjegjësohej shpirti, do zgjoheshe; do gjeje qetësinë shpirtërore, para se të ndërrosh jetë si shpirt i sigurt dhe i qetësuar.

Mos më thuaj se kupton, përderisa e sheh sesi toka ndryshon gjendjen e saj prej një gjendje në tjetrën e ti të mos ndryshosh gjë; mos më thuaj se ke zemër të mirë, përderisa zemra jote sheh madhështinë e krijesave të Zotit, e nuk madhëron Zotin e saj! Mos, mos e mashtro vetveten, por këndelle atë, e shkruaje në letër ndryshimin, përmirësimin. Le ta vërtetojë syri!

Mos të të hutojnë stolitë, kënaqësitë e përkohshme, pasuria e njerëzve, pozita e njerëzve, por ndërgjegjësohu, se, në një çast gjithçka do të shuhet, do të bëhet hi e pluhur! Asgjë.

Kujto, kur të tjerët me pavetëdijen e tyre tentojnë të të shmangin nga rruga e Zotit tënd, kujto Urën e Siratit. Kur këshillohesh prej dikujt, kushdo qoftë, e që të largon nga udhëzimi i drejtë, vetëm përkujto Urën e Siratit, mendo e thuaj: a thua, kjo për të cilën këshillohem, do ma mundësojë kalimin e kësaj ure? Jo, thuaj: Unë jam musliman! Edhe këshilluesi është musliman, por ti je musliman largpamës; mendon për jetën pasvdekjes.

Ke Zot, Atë duhet ta dëgjosh. Ke udhëzimin e të dërguarit të Tij, atë duhet të pasosh. Ti thuaj: feja ime s’e lejon, kur thirresh të veprosh diçka që kundërshton udhëzimin e drejtë. Unë dëgjoj e respektoj Zotin tim, ty të dua, por Zotin, që më krijoi mua dhe ty, e dua më tepër.

Le të tronditet! Le të lëkunden ndjenjat. Le të habiten mendjet. Le të mendojnë siç të dëshirojnë. Le të flasin… Ti përqendrohu në të ardhmen tënde; mendo për të mirën tënde. Ty, në çastin kur të merret shpirti, mos ndonjë do vijë me ty në varr? Jo, e atëherë, të të lenë të qetë, ashtu siç të lenë kur ti vdes!