Idu-l-Ed’ha

337653888_3d9125d8b7_m1

“Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” – Kur’an, 108:1-2

Shkruan: Avni Tafili

Allahu Ekber, la sherike leh!  Bismilah, Allahu Ekber! Çasti i sakrificës. Dita e dëshmisë. Sakrificë. Kur simbolizohet bindja e plotë. Madhështimi i Zotit, jo i krijesave. Sprovë, dallim. Kur sakrifica dëshmon bindjen, sprova për t’u dalluar flijuesit. Flijimi dëshmi e sprovë, për besimin e fortë. Nuk është gjaku, çka derdhet, besimin forcon, por zbatimi i urdhrit, kur diçka me besim e bindje vepron.

Jeta e kësaj bote, kalimtare. Flijo, dëshmo. Nëse Zotin tënd që të krijoi, vërtetë e adhuron. O ju që besuat, dijeni se, Zoti i qiejve e i tokës, i shpalli njerëzimit udhëzimin, që çon tek Ai. Udhëzimi, vullnet i Allahut dhe mëshirë ndaj krijesave të Tij. Ty, njeri, Zoti të nderoi, ndero urdhrat e Tij! Bëje atë që të ka urdhëruar, nëse dëshiron të jesh i shpëtuar. Shpëtimi, lumturi e pasosur. Kënaqësia e Allahut, më e shtrenjta!

Idu-l-ed’ha, mesazh, urtësi! Që ti të mos cytesh pas stolive të kësaj bote. E të mos i harrosh të drejtat dhe përgjegjësitë. Të jesh i drejtë ndaj vetes dhe të tjerëve, i mëshirshëm e i butë, që ta meritosh mëshirën dhe butësinë e Zotit tënd edhe në Ahiret! E duke qenë i përgjegjshëm ndaj vetvetes, je edhe ndaj të tjerëve.

O bijë të Islamit, festat tona, janë argumente. S’janë dëfrim e aheng e lojë, por zgjim e këndellje. Ed’ha, sakrificë, kur flijon për ta përkujtuar vetëm Allahun subhanehu ve teala, mirësitë e Tij ndaj teje; ti mëkaton, ndërsa Ai të falë, ti bën padrejtësi, ndërsa Ai të thërret për pendim, që të falesh e të përmirësohesh! Idë, nuk është thjesht sinonim i fjalës “festë” e “bajram”, por rikthim, rikëndellje, natyrshmëri. E idu-l-ed’ha, duke sakrifikuar, kujton mirësitë e Allahut, kujton flijimin e të Dërguarit të Allahut, mikut të së vërtetës, Ibrahimit – bekimi dhe paqja qoftë ndaj tij.

Kurbani, jo rit teknik, por shenjë e argument. Duke sakrifikuar, shërimi i plagëve, afrimin e zemrave, shpërndarja e bujarisë e dashurisë. Shoqëria e kapur, e bashkuar, drejtësia e pastërtia e arrira! Ne, në Islam, nuk jemi të thirrur të bëjmë diçka, e të mjaftohemi vetëm për veten tonë; s’mund ta ruajmë veten tonë, derisa nuk e ruajmë edhe familjen tonë, e familjet tona s’mund të jenë të ruajtura, kur fqinji, mëhalla e rruga janë të pasigurta.

Gëzim, pajtim. Allahu i Madhërishëm i Dashur e i Butë ndaj robërve të Tij! Do që ne, muslimanët, të unifikohemi, të bashkohemi, që të arrijmë t’i shijojmë dhuntitë e Tij, ashtu siç dëshiron Ai.

Mirënjohje, besim. Furnizues është Allahu, kur ne ndaj varfërisë frikë s’kemi, por ndaj kënaqësive të kësaj bote jemi të druajtur, atëherë besimi në Zotin tonë, Furnizues e Mbrojtës është duke u forcuar. Dëshmi është kur sakrifikojmë, për të qenë edhe mirënjohës ndaj Allahut të Madhërishëm.

Zoti është i Pavarur e Sovran, Furnizues e i Gjithëpushtetshëm. Allahu s’ka nevojë për sakrificat tona, por ne kemi nevojë besimin tonë ta provojmë; dëshmi e bujarisë, mirësisë, përkujtim e mësim. Përkujtim, pa bindje të plotë në të fshehtën, e pa nënshtrim të plotë ndaj urdhrave të Allahut subhanehu ve teala, e pa bujari ndaj njëri-tjetrit, s’mund të arrihet mirësia.

Vërtetë, Zoti ynë, Allahu, na e dëshiron lehtësinë dhe lumturinë!

Kurbani! Dëshmi e sinqeritetit, devotshmëri. Më tepër se rit e moment, ditë solidariteti; korrje e bindjes, përkushtimit, bujarisë e dashurisë. Respekt e dëgjueshmëri ndaj Allahut, Zotit të çdo gjëje.

Kur flijon, ke dëshmuar. Dëshmon se Zoti yt është Allahu. Ndaj Tij e ke ripërtërirë bindjen. Duke përkujtuar mirësitë e Tij ndaj teje, afron zemra njerëzish. Bashkohet i varfri me të pasurin; i dobëti me të fortin; zbuten zemrat, shtohet dashuria, kujtohet koha e shkurtë e dunjallëkut, ndërsa synohet Ahireti – Jeta e Pasosur!

Pra, ji bujar e falënderues, Zoti është Bujar dhe e do bujarinë! E atë që Allahu e do, ai është në mirësi të vërtetë!

Vërtetë, Zoti ynë na e dëshiron qetësinë dhe shpëtimin!

I lavdëruar është Allahu, Zoti ynë! Na udhëzon më të mirën, më të pastrën. Udhëzimi i Tij është dhuratë e çmueshme, e shtrenjtë. Nuk blihet. Dhurohet. A nuk mjafton vetëm të qenët i udhëzuar, të flijosh pahezitim e pa pyetur! Kur prej besimtarit kërkohet diçka, nuk ngurron e as nuk heziton të përgjigjet. Besimtari është zemërgjerë, ka këmbyer këtë jetë kalimtare me Jetën e Përgjithmonshme.

Allahu është i Lartë dhe i Pa të meta, s’ka nevojë për krijesat e Veta, por Ai është i Urtë dhe i Mëshirshëm! Riti i Kurbanit, shenjë e gatishmërisë sonë për të flijuar gjithçka kemi, për të dëshmuar se sa shumë e duam Zotin tonë, Allahun e Madhërishëm, pa flijim, s’ka dëshmi.

Pika e parë e gjakut kur del prej sakrificës, falen mëkatet, e duke ushqyer të tjerët, shtohet furnizimi!

Vërtetë, Zoti ynë na e dëshiron të pastrën dhe të bukurën! E i shpëtuar është ai që pastrohet, pastron zemrën e mendjen, trupin e pasurinë e tij, dhe e përkujton Allahun e Madhërishëm dhe vetëm Atë adhuron.

“Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” – Kur’an, 87:14-15

Allahu Ekber, ve lilahi-l-hamd