S’je i huaj!

87678678

“Kërkoni ndihmë prej All-llahut dhe kini durim. S’ka dyshim se toka është e All-llahut, ia lë në trashëgim atij që do nga robtë e tij, e ardhmja e lumtur është për të devotshmit.” – Kur’an, 7:128

Shkruan: Avni Tafili

Të jesh rob i Krijuesit të çdo gjëje, e të ndjehesh i harruar, i humbur e i huaj?! Dil prej mureve, ngreh kokën, je në tokën e Zotit tënd!

I huaj, kush identifikohet me gurin e mishin.

I huaj s’je! Jo, s’je i huaj, e pse të ndjehesh në tokë të huaj, kur edhe drunjtë madhështojnë Zotin tënd? E si të ndjehesh i huaj, kur edhe shpezët kur fluturojnë, madhërojnë Zotin tënd? E si të ndjehesh i huaj, kur gjithçka përreth teje është krijesë e Zotit tënd? E pse të ndjehesh i huaj e i rrezikuar, kur edhe asnjë gjeth i vetëm nuk bie në tokë pa urdhrin e Zotit tënd!

Jo, s’ke pse të ndjehesh i huaj, i vetmuar, i harruar! Mos ndoshta të kanë hutuar njerëzit, që Zotit të tyre ia kanë kthyer shpinën? Jo, ata vërtetë janë të huajt, janë të harruarit, të humburit. Ti e ke gjetur veten, e ke prekur arsyen e shëndoshë, je në dhuntitë e Zotit tënd duke jetuar. Nuk është dhunti të qenët i pasur por, i prangosur, nuk është dhunti të qenët i njohur por, i harruar tek Zoti i vet! Mos u ndje i huaj, vetëm pse ndjehesh i harruar nga të tjerët, e ty të mjafton Furnizuesi, Ngadhënjyesi, Allahu subhanehu ve teala.

Ti je në dhunti, kur të shkelë këmba, të është dëshmitare për siguri; kur gjuha të flet, të është dëshmitare për pastërti. Jo s’ke pse të ndjehesh i harruari, pse njerëzit e huaj të kthejnë shpinën. Ata njerëz, janë krijesa. Të mjafton Zoti yt! E pse të ndjehesh i mërzitur, i dëshpëruar, i hidhëruar, kur ti jeton për të fituar kënaqësinë e Zotit tënd. Po tek Ai është kthimi i të gjithëve, i çdo gjëje – mos e ke harruar këtë?

Kur ti nuk ndjehesh i huaj, e të ecësh nëpër tokë i krenuar për Zotin tënd, e të flasësh me krijesat e Zotit duke madhështuar Zotin tënd, a s’të jep kjo ndjesinë e sigurisë, përkundër që të tjerët, të huajt, që Zotin e tyre s’e njohin, e shtiren se janë zotërues të tokës, e ata në të vërtetë janë krijesa të padëgjueshme dhe të pashpresa, ndërsa përbrenda tyre fshehin hidhërimin dhe urrejtjen; dobësinë, e ti të ndjehesh i huaj? E ti, jo, s’guxon asgjë fare të të bëjë të ndjehesh i dobët e i huaj në tokën e Zotit tënd. Zoti e krijoi këtë tokë e ç’ka në të; është pronë e të Gjithëpushtetshmit!

Nuk i vështron yjet, si shkëlqejnë në madhështim ndaj Zotit tënd? Po hëna si ndriçon, e dielli si bën dritë, e ditët e netët si ndërrohen, të gjitha këto, të rregulluara prej Rregulluesit e Formësuesit, Zotit tënd, që ti ndaj Tij je nënshtruar dhe Atë po adhuron. E megjithëkëtë, ti të ndjehesh i huaj? Të jesh rob i Krijuesit të çdo gjëje, e të ndjehesh i harruar, i humbur e i huaj?!

Jo kurrë! Jo o bijë të Islamit! O ju robër të Atij që ndaj jush ka plotësuar dhuntitë e  Tij, nuk guxon për asnjë sekondë të ndjehesh i dobësuar! Jo, përkundër që cytësi kur cyt, dobësinë e dëshpërimin ta ndjell, ti përballu, e Zotit tënd mbështetu, ke për të ngadhënjyer mbi kurthet e cytësve, vërtetë cytësi është i dobët përballë teje, kur i je mbështetur Zotit tënd, Gjithëpërfshirësit, Allahut.

Assesi! Pra, dije o Ummet! Kur ftohje në bindje, e rrënim në moral shpirtëror ndjen, ngrihu e luftoje, e Zotin tënd madhëroje! Ndoshta krijesat, sytë e tu po i madhërojnë, po ti pendohu, e mos e adhuro askënd përveç Allahut, Zotin e Vetëm dhe të Pashoq! E ke për t’u çliruar nga idhujtaria e idhujve të idhujtarëve ndjellës të dobësisë. E ke për të prekur gjerësinë me ndjenjat tua, e ke për të marr frymë lehtë, e ka për të t’u hapur kraharori!

O sa mirë me qenë musliman! A ka kënaqësi më të madhe sesa të njohësh Zotin tënd, para se të kthehesh tek Ai! T’i nënshtrohesh, para se të të nënshtroj vdekja! E pra dije se, i huaj është ai që në tokën e Zotit që e krijoi, jeton, i gjallë me trup por i vdekur në zemër.

Ti ke zemër që madhëron Zotin e saj. Ke mendje që shpon! Ke ndërgjegje që të ruan. E pse të ndjehesh i huaj? Falëndero Allahun, i ji mirënjohës, e vetëm Atë adhuro!

Elhamdulilahi ve kefa biha niëmeten