Duke u arsyetuar…

2039850275_7821187e6b3“E mbështetu në All-llahun, se mjafton që All-llahu të jetë mbrojtës yti.” – Kur’an, 33:3

Shkruan: Avni Tafili

Ti çdo ditë hapë një derë të ikjes prej përgjegjësisë, ndërsa mbyllë dyert e shpresës dhe të forcës

Nuk të frymëzojnë të mirën. E ti ende pret, duke u arsyetuar. Mos u arsyeto, përballu.

Kur një i shtyrë në moshë arsyetohet, është arsye, pasi koha i ka shkelur aftësitë e mundësitë e tija; megjithëse, prapë të paktën mund të bëhet thirrës për të mos rënë të tjetër, ende të pashkelur nga e pakthyeshmja, koha. Por, disi kur një i moshuar më arsyetohet, detyrimisht ndjej dhembshuri ndaj tij, mëshirë e keqardhje. Ama, një i ri, sado që mund të arsyetohet, e çfarëdo qofshin ato arsyetime, kurrë nuk mund të pranohen.

Të arsyetuarit, duke qenë mohues, është e urrejtshme. As të vdekurve nuk u pranohet arsyetimi, kur ata duke u arsyetuar, kërkojnë që të kthehen edhe njëherë në jetën e Dunjasë për të qenë ndryshe nga çka ishin; të ishin besimtarë e vepërmirë, ama u refuzohet, sepse kush e arsyeton të kaluarën duke qenë mohues i mësimit, arsyetimi thjesht mbet fjalë që e pëshpëritë goja, e jo shtytës për të mësuar.

Gjithnjë kur ikën koha, duke u vajtuar e kaluara, njeriu i dobët e ngushëllon veten duke gjetur lloj-lloj arsyetimesh. Kështu, jo duke i kujtuar lëshimet, gabimet, padrejtësitë ndaj vetvetes, por duke i ripërsëritur ato, edhe pse ndoshta pavetëdije.

Njeriu kur arsyetohet, realisht është duke mohuar aftësitë dhe mundësitë. Është edhe mohues i dhuntive, që iu dhanë para se të lindte. Ti duke u justifikuar, e duke legjitimuar arsyetimet, dije se, je duke e dëmtuar vetveten, e më keq, je duke e varrosur zemrën e mendjen. Sot, mjerisht, muslimanët pak gjejnë inspirim që gjallëron, më tepër është prirja për të gjetur prehje që ngushëllon, por aty ku përmendet sakrificat, inspirimi shndërrohet në dëshpërim.

Kush beson Allahun dhe Ditën e Ringjalljes, nuk guxon të dyshojë në ndryshim, përmirësim dhe përparim. Njeriu i bindur në fuqitë e veta, i bindur në aftësitë dhe mundësitë që mund t’i ketë, është njeriu që ka gjetur forcën, forcë që gjithnjë e mbanë të gjallë, plot shpresë dhe bindje për të nesërme të ndritshme. Këtë forcë shumë njerëz e injorojnë, në veçanti të rinjtë, disa prej padijes, e disa prej mungesës së besimit. Kur te ndonjëri bashkohet padija dhe besimi i dobët, është i zbrazët në brendshmin e tij.

Vallë, a mund të ketë njeri pa brenga? A mund të ketë njeri pa shqetësime? A mund të ketë njeri pa probleme? A mund të ketë njeri pa dështime? Të gjithë njerëzit, e në veçanti besimtarët, janë të sprovuarit, shijojnë brengën, dështimin. Brenga e dështimi, çfarëdo qoftë shkaku, njeriun besimtar e bënë edhe më të fortë, ia nxit ndërgjegjen për ta ndryshuar këtë gjendje. E më tepër, e bënë të mendojë.

Është të menduar i mbrapshtë të mendohet e kaluara, jo për të marrë mësim, por duke e shndërruar mësimin në vajtim. Është për t’u çuditur, njeriu që duke i kujtuar gabimet e veta, i përsëritë ato, tani duke menduar se është duke bërë gjënë e duhur, kështu e kalon gjysmën tjetër të kohës, po aq sa i ka kaluar, në dështim e dëshpërim.

Mirëpo, çka ndodhë sot, kryesisht me të rinjtë e Ummetit, atëherë kur sprovohen me diçka, ligështohen, dobësohen e dorëzohen. Kështu, duke harruar përgjegjësitë. Po edhe duke ia mohuar vetvetes fuqinë shndërruese. Jo vetëm kaq, por edhe duke u bërë pjesë e gjendjes, e kapluar me rrënim e dëshpërim.

Varfëria është shenjë e padrejtësisë, pse ti nuk lufton për drejtësi? Pamëshira mes njerëzve është shenjë e zbehjes së besimit, pse ti nuk e dëshmon besimin me mëshirë, e të bëhesh shembull i mëshirës? E ti, nuk e shndërron brengën në qetësi e prehje, por ti e shton atë; nuk e shndërron pengesën në urë për të kaluar në tokë të suksesit, por i nxjerr vetes edhe më shumë pengesa.

Ti çdo ditë hapë një derë të ikjes prej përgjegjësisë, ndërsa mbyllë dyert e shpresës dhe të forcës. Pak shpreson në fuqinë e ndryshimit, në fuqinë e përmirësimit. Arsyetohesh, duke injoruar konceptet e drejta ndaj fjalës ndryshim e përmirësim. Mund të mendohet se, ndryshimi e përmirësimi, thjesht të kesh jetë të pasur me aheng e dëfrim; të kesh shtëpi “me standarde” të atij vendi e të këtij vendi, të kesh atë e këtë, ama, ke harruar ndoshta, se nuk bëhet fjalë për transformim të gjendjes materiale por të asaj mendore e shpirtërore.

Sado të bukur ta kesh jetën, siç mund ta ëndërrosh, dije se, përderisa nuk ndjehesh i sigurt në rrugë, asgjë s’të duhet nga fitimi yt; po edhe çfarëdo gjendje materiale të jesh, nëse njerëzit përreth teje i ka kapluar e keqja, ty s’të bën kurrë të ndjehesh i qetë. Mendja dhe shpirti prehen kur ndjejnë drejtësinë, sigurinë e qetësinë. Një shoqëri që e kaplon padrejtësia, aty s’ka mëshirë; s’mund të prehet mendja e shpirti i njeriut. E ti mund të arsyetohesh, se akëcili është kështu e ashtu, duke pohuar mirësinë në vetvete, por je duke mohuar se ti je pjesë e asaj shoqërie. Ti nëse mendon e ndjen të keqen dhe e lufton atë, medoemos do jetë çështja ndryshe.

Prindërit s’frymojnë! E ti ende pret? Familja s’përkrah! E ti ende pret? Miqtë tuaj janë dëfryes! E ti ende pret? Shoqëria e pandërgjegjshme ndaj teje! E ti ende pret? Udhëheqësit e padrejtë! E ti ende pret?

A s’të mjafton vetëm Allahu? Vetëm Atij t’i mbështetesh, e vetëm Atë ta kesh mbrojtës?

Ti ende pret, duke u arsyetuar. Mos arsyeto, ndjek udhëzimin e drejtë. Është padrejtësi ta viktimizosh veten, e padrejtësi më e madhe është të injorosh udhëzimin e drejtë. Ke menduar ndonjëherë se, si prindi, si familja, si miku, si shoqëria, si udhëheqësi, nuk janë veçse pasqyrë e gjendjes sate; reflektim i yti?

Allahu na udhëzoftë!