Duke u arsyetuar…

2039850275_7821187e6b3“E mbështetu në All-llahun, se mjafton që All-llahu të jetë mbrojtës yti.” – Kur’an, 33:3

Shkruan: Avni Tafili

Ti çdo ditë hapë një derë të ikjes prej përgjegjësisë, ndërsa mbyllë dyert e shpresës dhe të forcës

Nuk të frymëzojnë të mirën. E ti ende pret, duke u arsyetuar. Mos u arsyeto, përballu.

Kur një i shtyrë në moshë arsyetohet, është arsye, pasi koha i ka shkelur aftësitë e mundësitë e tija; megjithëse, prapë të paktën mund të bëhet thirrës për të mos rënë të tjetër, ende të pashkelur nga e pakthyeshmja, koha. Por, disi kur një i moshuar më arsyetohet, detyrimisht ndjej dhembshuri ndaj tij, mëshirë e keqardhje. Ama, një i ri, sado që mund të arsyetohet, e çfarëdo qofshin ato arsyetime, kurrë nuk mund të pranohen.

Të arsyetuarit, duke qenë mohues, është e urrejtshme. As të vdekurve nuk u pranohet arsyetimi, kur ata duke u arsyetuar, kërkojnë që të kthehen edhe njëherë në jetën e Dunjasë për të qenë ndryshe nga çka ishin; të ishin besimtarë e vepërmirë, ama u refuzohet, sepse kush e arsyeton të kaluarën duke qenë mohues i mësimit, arsyetimi thjesht mbet fjalë që e pëshpëritë goja, e jo shtytës për të mësuar.

Gjithnjë kur ikën koha, duke u vajtuar e kaluara, njeriu i dobët e ngushëllon veten duke gjetur lloj-lloj arsyetimesh. Kështu, jo duke i kujtuar lëshimet, gabimet, padrejtësitë ndaj vetvetes, por duke i ripërsëritur ato, edhe pse ndoshta pavetëdije.

Njeriu kur arsyetohet, realisht është duke mohuar aftësitë dhe mundësitë. Është edhe mohues i dhuntive, që iu dhanë para se të lindte. Ti duke u justifikuar, e duke legjitimuar arsyetimet, dije se, je duke e dëmtuar vetveten, e më keq, je duke e varrosur zemrën e mendjen. Sot, mjerisht, muslimanët pak gjejnë inspirim që gjallëron, më tepër është prirja për të gjetur prehje që ngushëllon, por aty ku përmendet sakrificat, inspirimi shndërrohet në dëshpërim.

Kush beson Allahun dhe Ditën e Ringjalljes, nuk guxon të dyshojë në ndryshim, përmirësim dhe përparim. Njeriu i bindur në fuqitë e veta, i bindur në aftësitë dhe mundësitë që mund t’i ketë, është njeriu që ka gjetur forcën, forcë që gjithnjë e mbanë të gjallë, plot shpresë dhe bindje për të nesërme të ndritshme. Këtë forcë shumë njerëz e injorojnë, në veçanti të rinjtë, disa prej padijes, e disa prej mungesës së besimit. Kur te ndonjëri bashkohet padija dhe besimi i dobët, është i zbrazët në brendshmin e tij.

Vallë, a mund të ketë njeri pa brenga? A mund të ketë njeri pa shqetësime? A mund të ketë njeri pa probleme? A mund të ketë njeri pa dështime? Të gjithë njerëzit, e në veçanti besimtarët, janë të sprovuarit, shijojnë brengën, dështimin. Brenga e dështimi, çfarëdo qoftë shkaku, njeriun besimtar e bënë edhe më të fortë, ia nxit ndërgjegjen për ta ndryshuar këtë gjendje. E më tepër, e bënë të mendojë.

Është të menduar i mbrapshtë të mendohet e kaluara, jo për të marrë mësim, por duke e shndërruar mësimin në vajtim. Është për t’u çuditur, njeriu që duke i kujtuar gabimet e veta, i përsëritë ato, tani duke menduar se është duke bërë gjënë e duhur, kështu e kalon gjysmën tjetër të kohës, po aq sa i ka kaluar, në dështim e dëshpërim.

Mirëpo, çka ndodhë sot, kryesisht me të rinjtë e Ummetit, atëherë kur sprovohen me diçka, ligështohen, dobësohen e dorëzohen. Kështu, duke harruar përgjegjësitë. Po edhe duke ia mohuar vetvetes fuqinë shndërruese. Jo vetëm kaq, por edhe duke u bërë pjesë e gjendjes, e kapluar me rrënim e dëshpërim.

Varfëria është shenjë e padrejtësisë, pse ti nuk lufton për drejtësi? Pamëshira mes njerëzve është shenjë e zbehjes së besimit, pse ti nuk e dëshmon besimin me mëshirë, e të bëhesh shembull i mëshirës? E ti, nuk e shndërron brengën në qetësi e prehje, por ti e shton atë; nuk e shndërron pengesën në urë për të kaluar në tokë të suksesit, por i nxjerr vetes edhe më shumë pengesa.

Ti çdo ditë hapë një derë të ikjes prej përgjegjësisë, ndërsa mbyllë dyert e shpresës dhe të forcës. Pak shpreson në fuqinë e ndryshimit, në fuqinë e përmirësimit. Arsyetohesh, duke injoruar konceptet e drejta ndaj fjalës ndryshim e përmirësim. Mund të mendohet se, ndryshimi e përmirësimi, thjesht të kesh jetë të pasur me aheng e dëfrim; të kesh shtëpi “me standarde” të atij vendi e të këtij vendi, të kesh atë e këtë, ama, ke harruar ndoshta, se nuk bëhet fjalë për transformim të gjendjes materiale por të asaj mendore e shpirtërore.

Sado të bukur ta kesh jetën, siç mund ta ëndërrosh, dije se, përderisa nuk ndjehesh i sigurt në rrugë, asgjë s’të duhet nga fitimi yt; po edhe çfarëdo gjendje materiale të jesh, nëse njerëzit përreth teje i ka kapluar e keqja, ty s’të bën kurrë të ndjehesh i qetë. Mendja dhe shpirti prehen kur ndjejnë drejtësinë, sigurinë e qetësinë. Një shoqëri që e kaplon padrejtësia, aty s’ka mëshirë; s’mund të prehet mendja e shpirti i njeriut. E ti mund të arsyetohesh, se akëcili është kështu e ashtu, duke pohuar mirësinë në vetvete, por je duke mohuar se ti je pjesë e asaj shoqërie. Ti nëse mendon e ndjen të keqen dhe e lufton atë, medoemos do jetë çështja ndryshe.

Prindërit s’frymojnë! E ti ende pret? Familja s’përkrah! E ti ende pret? Miqtë tuaj janë dëfryes! E ti ende pret? Shoqëria e pandërgjegjshme ndaj teje! E ti ende pret? Udhëheqësit e padrejtë! E ti ende pret?

A s’të mjafton vetëm Allahu? Vetëm Atij t’i mbështetesh, e vetëm Atë ta kesh mbrojtës?

Ti ende pret, duke u arsyetuar. Mos arsyeto, ndjek udhëzimin e drejtë. Është padrejtësi ta viktimizosh veten, e padrejtësi më e madhe është të injorosh udhëzimin e drejtë. Ke menduar ndonjëherë se, si prindi, si familja, si miku, si shoqëria, si udhëheqësi, nuk janë veçse pasqyrë e gjendjes sate; reflektim i yti?

Allahu na udhëzoftë!

Hezitimi!

241419469_a9c648a91e_m“Dhe thuaj: Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët” – Kur’an, 9:105

Shkruan: Avni Tafili

E ti heziton të studiosh! Heziton në Xhami të punosh! Heziton vëllezërit t’i pajtosh! Heziton motrat t’i bashkosh! Heziton një qindarkë për Islam ta shpenzosh! Heziton penën në dorë ta rrekësh! Heziton të padrejtit, i padrejtë t’i thuash! Heziton të pa udhëzuarin, ta këshillosh!

Ngadhënjimi i takon të bindurve, të sinqertëve, besimtarëve; robërve të Allahut, Ngadhënjyesit, Zotit të çdo gjëje.

Hezitimi! Kancer që ha ëndrrat e njeriut. Bën të vdes vizioni, e të ngrirët vullneti. Mjerim! Prapë mjerim, për atë që është hezitues, e nuk e heton. Të hezitosh, do të thotë, të mos kesh guxim. Epo, ti ndoshta e ndjen këtë ndjesi, por ti nuk e kupton se po heziton. Po fillon, e po ndalon. Ke frikë. E prej kujt ke frikë! Ke turp. E prej kujt ke turp! Këta njerëz, hezitues, vallë, a nuk kanë Zot, Allahun Gjithëpërfshirës? A nuk mendojnë se të qenët rob i devotshëm i Allahut, s’ka gjë që mund ta ndaloj?

E jo pra! S’ke për të ndryshuar, e as s’ke për t’u përmirësuar, e as s’ke për t’u zgjuar, e as s’ke për të qenë pishtar i thirrjes në dhuntitë e Zotit tënd, përderisa ti nuk e mposhtë vetveten hezituese! Jo, kurrë! Përderisa ti i dëgjon pëshpëritjet e njerëzve frikacakë, e dembelë, e të papërgjegjshëm. Ata po, të bëjnë ty të hezitosh, çdo herë kur synon të bësh diçka ndryshe, diçka të pazakontë, ti heziton!

E ç’të bëri të jetosh nën hijen e hukamës së njerëzve të shtangur nën çadrën e traditave të mbrapshta njerëzore? Vallë, a nuk të mjafton shembulli i muslimanëve të guximshëm, të pathyeshëm, të urtë e  shpues drejt zgjimit e ndryshimit? A dëgjon njerëzit, që e kaluara, e sotshmja dhe e ardhmja e tyre është paracaktuar të jetë si e kaluara e sotshmja dhe e ardhmja e të parëve të tyre, të pashpresë, të dobët, e të thyeshëm?

Jo, ti mund ta thyesh këtë traditë të mbrapshtë! Traditë e njerëzve përtacë e të dobët. Traditë e njerëzve që e prunë gjendjen e Ummetit në këtë gjendje që është. Vallë, mos të parët tanë arsyetohen! Të mos arsyetohen, që ne të mos i akuzojmë, por unë e ti ta ndryshojmë rrjedhën e historisë! Po, nëse ti për model s’merr njeriun që veçmë ka trashëguar gjenin e njeriut që shpreson kot, e frikësohet kot, e tmerrohet kot, e turpërohet kot! S’ka turp, kur zëri thërret për zgjim; s’ka hezitim për veprën që bëhet për përmirësim!

Ti heziton! Por jo të gjithë janë si ty! Ti merr mësim! E prej kujt sot të marrësh mësim! Muslimanët sot thuajse për gjithçka hezitojnë. E pse ju bijë të rinj të Islamit pra nuk bëheni model për të tjerë? Islami kërkon angazhim, jo hezitim. Islami është fuqi, jo dobësi, Kur’ani është dritë, jo errësirë, Shëmbëlltyra e Muhammedit a.s. është mësim, jo thjesht interpretim! E pra, dijeni o Ummet, përderisa nuk i thua “Mjaft!” hezitimit, kur prej teje kërkohet angazhim për punë të hajrit, mos më vajto e as mos u anko, po as mos shpreso për të ardhme të ndritshme nën hijen e pastërtisë dhe bukurisë së Islamit!

Njerëzit hezitojnë! Prirje e njerëzve të pa sprovuar. Njerëz që nuk janë mësuar me jetën e vështirë. Nuk kanë vuajtur. Të përkëdhelurit! Këta janë të dobëtit, të ligshtit, të pashpresët; hezituesit! E pse pra bijtë e Islamit të hezitojnë? A nuk po e shijojnë poshtërimin që atyre u bëhet në çdo kënd? A nuk po e hetojnë padrejtësinë që u bëhet atyre gjithandej e këtej? A nuk po shohin sesi fjala Islam është shndërruar në objektiv e shënjestër e njerëzve, që s’hezitojnë, por kundër të vërtetës krye kanë ngritur? A nuk dëgjon sesi mendjet manipulohen, rrugën e Zotit për ta groposur?

E ti heziton të studiosh! Heziton në Xhami të punosh! Heziton vëllezërit t’i pajtosh! Heziton motrat t’i bashkosh! Heziton një qindarkë për Islam ta shpenzosh! Heziton penën në dorë ta rrekësh! Heziton të padrejtit, i padrejtë t’i thuash! Heziton të pa udhëzuarin, ta këshillosh! Heziton motrën e pambuluar, ta këshillosh! E ti hezito, ndërsa njerëzit armiq të së vërtetës, po veprojnë, e fare s’po hezitojnë. Ata janë të shpërndarë kudo, e prej çdo këndi bijtë muslimanë po i luftojnë.

O bijë të Islamit! Deri kur do të mendoheni! Deri kur do të rrini të heshtur! Deri kur do të prisni! E kë po prisni, derisa në shtëpitë tuaja armiku t’ju hyjë? Jo, dijeni pra! Armiku më ka hyrë, e ti duke pritur. E kë e çka je duke pritur vallë!? A nuk e sheh, sesi fëmijët janë duke u edukuar, jo me fjalën e Zotit, a nuk po sheh se me çka të rinjtë e të rejat e Ummetit po frymëzohen, a nuk sheh sesi “objektet e thirrjes” janë shndërruar në objekte të ndarjes, urrejtjes e përçarjes? A nuk sheh sesi radhët e muslimanëve janë shkapërderdhur? E ti heziton të veprosh e të bëhesh shkaktar për ndryshim e përmirësim të gjendjes! E kë pret të mos hezitoj, kur ti heziton! E pse të mos jesh ti model kundër këtij kanceri ëndrra-ngrënës, e shpresa-mbytës, e vullnet-prishës?

Më thuaj, kë ke Zot? Kë ke shëmbëlltyrë? Kë ke udhërrëfyes? Kë ke ndihmës? O vëlla e motër për hir të Zotit që na krijoi, e na udhëzoi, ke pra Zot, Allahun, Ngadhënjyesin, të Gjithëfuqishmin, Furnizuesin; e shëmbëlltyrë Muhammedin – salAllahu alejhi ve selem, njeriun më të pastër, më të ndershëm, më të urtin, më të ngriturin, më të lavdëruarin! Po ke burimin hyjnor, ke fuqi e dritë që nuk shteret, ke Librin e Allahut, Kur’anin dhe Trashëgiminë e të Dërguarit të Allahut, Sunnetin! E ti ende të hezitosh!?…

Dil nga rrethi, që ty po të rrotullon drejt dështimit e dëshpërimit! Allahu na ruajttë!

E pra, dije, hezitimi është turp për muslimanin! Është dobësi e gjallë! Është dëshmi e bindjes së brishtë! Është shpresë jo e plotë në ngadhënjim e fitore! Ndërsa, ngadhënjimi, fitorja, e tërë trashëgimia i takon të bindurve, të sinqertëve, besimtarëve, robërve të denjë e të devotshëm të Allahut, Zotit të çdo gjëje!

O Allah na udhëzo!

“Por!…”

577575“O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët.” – Kur’an, 2:208

Shkruan: Avni Tafili

O zemër duke hezituar e luhatur, kur urdhrat e Zotit tënd të kumtohen, sikur në fenë e Tij të përqendroheshe, e fjalën “por” ta harroje kur prej teje tërësi e vepër kërkohet, e me tërë qenien tënde t’i nënshtroheshe, pasha Atë që të krijoi, para se të të zgjerohej toka, e ngushtuar përreth teje, do të të zgjerohej zemra…

Ç’të prek, kur ti Allahut, të Gjithëpushtetshmit i dorëzohesh e mbrojtje prej Tij kërkon? Ti thua “Por”, në tërësi duke shpresuar!

Dua, për të gjetur qetësinë shpirtërore, për të mbushur zemrën me bindje e dashuri, e unë duke e pëshpëritur fjalët “vallë, a nuk qetësohen zemrat me përkujtim ndaj Zotit”, e them “por!” E kur ngrihesh për të adhuruar Zotin tënd, nuk ndjen ngrohtësinë e besimit. Përpiqesh, por, nuk mundesh, e kjo të mundon. E kur sillet në mendje qortimi: “kur ngrihen për namaz, ngrihen me përtaci”, ndjen frikë, se mos prekesh prej hipokrizisë! “Por!”, i paaftë, e ndjehet mangësi! E ke hedhur veten në rrezik, e të shpresosh duke qenë i bindur plotësisht se Zoti yt nuk të braktis?

Ke dëgjuar se namazi pastron, e pse s’të pastron, a s’e ndjen mëkatin kur në djersët tua rrjedhë, e kur të sillet nëpër mend porosia e urtësisë së namazit, “që pastron nga mëkatet siç do të të pastronte trupin lumi që rrjedh e lëvizë, po të laheshe pesë herë në ditë në të”; e mund të thuash: s’dua t’ia dorëzoj veten të keqes, e ta qortosh vetveten kur qetësinë në përkushtim ndaj Zotit tenton ta kesh, “por” s’e gjen. Dua të jem i përkushtuar, i devotshëm, i denjë për të qenë krijesë e nderuar, ashtu siç më cilësoi Zoti im para se të më prekte mëkati i epshit, mëkati i rënies pre e së keqes, por! Ç’të prek, kur ti Allahut, të Gjithëpushtetshmit i dorëzohesh e mbrojtje prej Tij kërkon? Ti thua “Por”, në tërësi duke shpresuar!

Dëgjon, sheh, ndjen, mendon? E çfarë të shtyu pra të mos jesh adhurues i denjë, e çfarë po të shtyn të mos jesh falënderues ndaj Krijuesit tënd? Lexon Kur’an, por? E di se Kur’ani është shpallje Hyjnore, por pse zemra s’e ndjen madhështinë e fjalës “hyjnore”. E ndoshta të sillet në kujtesë, se, fjala e Zotit “është udhëzim për të devotshmit”, por mos jemi të dobët? E atëherë pse s’forcohemi? E si të jesh i denjë për nderim hyjnor, kur s’e ndjen devotshmërinë, e pa devotshmëri s’mund të na jetë udhëzim shpallja Hyjnore, e as s’mund të ndjehet madhështia e saj; e si atëherë të jesh i nderuar?

Ende s’e kuptoj se ç’po ndodhë! E pse gjuha gënjen, e pse zemra zhdërvjellë sikur po ndjen, e pse ndjenjat përplasin sa andej sa këndej?

Ç’ka kjo zemër, që pas bukurive të kësaj bote hedhet, si hamshor, e nuk ndalet së gufuari me pasion pas saj, ndoshta je i vetëdijshëm se është e përkohshme, e ndjen kohën e shkurtë të përjetimit të tyre, e të kujtohet qortimi se, “jeta e kësaj bote është përjetim i shkurtë dhe i rrejshëm”, por! E kur e kujton amshueshmërinë, për pak çaste ndalon, ndoshta fillon brenda teje të krijohet ndjesia e ngrohtësisë së respektit, po mund të jetë edhe ndjesia e rrezikshmërisë, se mos e humbet përjetshmërinë duke e këmbyer atë me të përkohshmen, por! Ti e bën namazin, por, jo rregullisht. Thua se i bindesh Zotit që të krijoi, “por” në vepra ndryshon çështja! E ti ndoshta duke e pëshpëritë porosinë kur’anore se, “namazi për besimtarët është në kohën e caktuar”, ndërsa ti, duke thënë “por”, të ikin kohët, ndonjëherë pas-kohe, e ndonjëherë i le fare.

Mos më thuaj asgjë! Përderisa ndaj Zotit tënd heziton urdhrat t’ia respektosh! Duke thënë “por” qejfin armikut tënd në vend po ia çon! “Por”, është fjalë që djalli i mallkuar nëpërmjet saj ka gjetur vend në zemrën tënde, e po të mban të varur me shpresa të kota. Ti deklarove për Zot, Allahun e Madhërishëm, e pse nuk ia dorëzon të gjitha çështjet, e t’i respektosh urdhrat e Tij, “por” vazhdon duke e konsideruar veten ai që s’je? Vallë, a nuk të sillet ndërmend qortimi kur’anor ndaj atyre njerëzish, që deklarojnë besimin ende pa u mbushur me bindje, të cilët thoshin “kemi besuar”, e atyre u tha: “mos thoni besuam, por thoni u dorëzuam”, e pse nuk i dorëzohesh njëherë Zotit tënd plotësisht, jo pjesërisht, e të respektosh urdhrat e Tij ashtu siç u urdhërove, “por” ti duke mos i respektuar ato, vazhdon të ngushëllohesh e të vajtosh duke pëshpëritur “por…por..”?

Mos thuaj “Por”! Dorëzoju Zotit tënd duke dëgjuar dhe respektuar, derisa të të vijë bindja e plotë!

E ndjen gabimin, por! Pendohesh, e ndoshta ndjen keqardhje, por, a thua bindja ndaj Zotit tënd është duke u forcuar? E bindja nuk forcohet duke shpresuar, por duke vepruar tërësisht me tërë qenien tënde. A thua mos zemra është varur në degët e shpresave të kota, e uni i varur në degët e stolive të botës së rrejshme? Mos njeriu i këtillë, mund të jetë sikur shembulli i një fryti, kur prej sythit këputet ende pa u pjekur? O zemër duke hezituar e luhatur, kur urdhrat e Zotit tënd të kumtohen, sikur në fenë e Tij të përqendroheshe, e fjalën “por” ta harroje kur prej teje tërësi e vepër kërkohet, e me tërë qenien tënde t’i nënshtroheshe, pasha Atë që të krijoi, para se të të zgjerohej toka, e ngushtuar përreth teje, do të të zgjerohej zemra! Edhe shijet natyrshmërisë do t’i ktheheshin, shprehitë do të ndryshoheshin, zemra me bindje e përkushtim do të mbushej, mendja do të hapej e do të ndriçohej, e drita syve argumentet do t’ia kapte, e të dëgjuarit me zërin e së vërtetës do të prehej. Lum për muslimanin e tërësishëm!

O bijë të Islamit! Keni klithur ndonjëherë me zë të heshtur me tërë fuqinë tuaj për të shprehur ndjenjën, kur shpirti qetësinë gjen, e kur zemra me besim ngrohet, e kur mendja plotësisht arsyeton e bindet? – Allahu Ekber! E t’i gjunjëzoheni madhështisë së Allahut, e të kërkoni prej Tij t’i jeni denjësisht robër të Tij? Çka të bën o rob i Allahut, të mos përqendrohesh, a nuk është kumtuar e vërteta; e kush do t’i bindet të vërtetës tërësisht? E kush do të hyjë në Islamin e tërësishëm?

O Allah, na udhëzo! Mos na i lako zemrat pasi që i drejtove ato, Ty të nënshtrohemi, Ty të bindemi, na mbroj nga e keqja e vetes sonë!

Kur për ndonjë çështje thirresh!

“Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: ‘Dëgjuam dhe respektuam!’ Të tillët janë ata të shpëtuarit.” – Kur’an, 24:51

Shkruan: Avni Tafili

E kur thirren të bëjnë diçka, mjaftohen me fjalët “InshaAllah!”, e kur nuk mbaron punë (pa u përpjekur!), të thotë: Epo, s’deshi Allahu! – SubhanAllah! Vallë, sa është i ndërgjegjshëm muslimani i këtillë, se kjo mund të jetë tallje e qartë!

Jo vetëm “dëgjuam”, por edhe “respektuam”, e respekti duhet të shprehet e të dëshmohet vazhdimisht!

“Allahu e di më së miri!”, kështu shumë muslimanë thonë, e shpeshherë për t’i ikur përgjegjësisë, e ndonjëherë për të fshehur paditurinë, për të mbuluar përtacinë e dobësinë. Po, e kur thirresh për të gjykuar në ndonjë çështje, e kur thirresh për të thënë mendim a për të bërë diçka, hesht e tërhiqesh duke thënë “Allahu e di më së miri!” E kush tha që Allahu nuk e di më së miri! SubhanAllah! Pa kurrfarë dyshimi Allahu është i Gjithëdijshmi, por thuaj të paktën “Nuk di!”, “Nuk mundem!”, “Jam i dobët!”. Po të ishte Omeri – radijAllahu anhu në këtë kohë pale sa muslimanin do ta shkundte!

E sikur këtë fjalë ta pëshpëritnin zemrat e mendjet. Jo, assesi! E pëshpëritin gjuhët, madje majat e gjuhëve! E mendja e zemra e të papërgjegjshmëve është në maje të gjuhëve, e jo në thellësi të zemrave të tyre! E kurrsesi s’ka mbështetje të njëmendtë! Nëse mendjet janë të sëmura apo zemrat, ende në fije s’u bihet. Traditë e trashëguar prej muslimanëve përtacë e dembel të mëparshëm. Ku nuk morën traditë tjetër, po gjetën shprehinë që vetë gjenerata e parë e dënonte si ikje prej përgjegjësisë!

Kjo kategori e muslimanëve dëshiron të shfaq devotshmëri apo çfarë! Ec e bjeri n’fije! Jo, s’mund ta pranonte muslimani i arsyeshëm si devotshmëri, se devotshmëria nuk është në gjuhë, por në fryte që veprat e njeriut japin!

“Allahu di, e ju s’dini!” vetëm këtë sikur ta merrnin me gjithë mend muslimanët sot! Por, jo! Kur thuhet “Allahu thotë”, as frymë thellë s’merret, e kur thuhet: “ka thënë filani”, hapen veshët, ngrihen kapakët e syve, e mezi presin të përfundojë fjala, që të përgjigjen! E ç’do të thotë kjo! Peshon ndërgjegjja e përgjigjes ndaj krijesës e jo ndaj Krijuesit të krijesës. E më tepër vlerësohet e i kushtohet vëmendje fjalës njerëzore, sesa shpalljes hyjnore! Ruana Zot nga kjo gjendje!

Jo nuk është devotshmëri pra! Kur thuhet “Allahu thotë”, duhet të sundojë heshtja, qetësia, përulja, dhe përmallimi për Të! Të mendohet për madhështinë, për bujarinë, për fuqinë, për mëshirën, për ndëshkimin, për pushtetin, për urtësinë e Zotit, Allahut të Madhërishëm! Do të mjaftonte pra për muslimanin, që kur vetëm emri “Allah” të përmendej, të përulej me ndërgjegjen e tij! Të dëgjonte dhe të respektonte!

Allahu urdhëron, ndërsa pak dëgjojnë. Allahu ndalon, ndërsa shumë vazhdojnë. Allahu thotë: mos shpif!, ndërsa pak janë që s’shpifin. Allahu thotë: mos hani pasurinë me të padrejtë!, ndërsa pak janë që ndalojnë. Allahu thotë: besimtarët janë vëllezër!, ndërsa shumë armiqësohen e përçahen. Allahu thotë: më mirë për ju të falni!, ndërsa muslimanët hakmerren e urrejnë. Allahu thotë: a menduat se do të hyni në Xhennet pa u sprovuar…, e të shumtë kur sprovohen, qajnë e dorëzohen. Allahu thotë: Lexo!, ndërsa pak, e fare pak lexojnë! E Allahu thotë: jepni prej asaj që ju furnizuam!, e ti s’jep asnjë qindarkë!

E ti thua: “Allahu e di më së miri!”, ndërsa po ti, vepron sipas mendjes sate! Ti s’ke dije, dije kanë të devotshmit, e të devotshëm janë ata që Allahun dëgjojnë dhe ndaj Tij janë plotësisht të nënshtruar. Në ç’gjendje qenka kjo kategori e njerëzve, vallë! Më tepër janë të ngjashëm me të padijshmit; prej atyre që s’mendojnë e as logjikojnë. Flasin e thonë pa vetëdije, dëgjojnë e veprojnë pa vetëdije. Jo, këta mund t’i përkasin kategorisë së njerëzve, të cilët thonë atë që s’veprojnë. E këta pra, janë njerëz, që mbi ta bie urrejtja. Kur urrehen, s’mund të japin respekt e dashuri. E këta qenkan që Ummetin armiqësuakan! Allahu na udhëzoftë!

E kur thirren të bëjnë diçka, mjaftohen me fjalët “InshaAllah!”, e kur nuk mbaron punë (pa u përpjekur!), të thotë: Epo, s’deshi Allahu! – SubhanAllah! Vallë, sa është i ndërgjegjshëm muslimani i këtillë, se kjo mund të jetë tallje e qartë! E pra, tallet, i tallur mbet, pasi asgjë s’mund të bëjë më, i paaftë mbet!

Jo, tallja me dinin e Allahut, është kufër pra!

O musliman i dashur! Kur’ani, Fjalë e Allahut që udhëzon! Është dritë që shpon e depërton e zgjidh çdo çështje. E pse ti të rrish në këtë gjendje që je, duke formuluar arsyetime të llojllojshme; pse o Bij të Islamit! Pse ia bëni vetes gropën! E pse të bihet në nivelin e atyre njerëzve që s’u bënë dobi këshilla! Ata janë njerëzit që vetveten e tyre e kanë rënduar, e kanë dobësuar, e kanë paaftësuar, e kanë verbuar; po ata janë që Ditën e Gjykimit do të përpiqen të vazhdojnë avazin e arsyetimeve të tyre, por atë Ditë s’bën më gjë dobi!

O bij të Islamit! Ne e lexojmë Kur’anin, ndoshta edhe jo aq sa duhet, por shumë pak muslimanët me Kur’anin po udhëzohen. Ndër shkaqet, sepse udhëzimin kur’anor sot pak muslimanë e marrin si tërësi, e shumë muslimanë pjesë-pjesë, e diçka-diçka. Po jo si tërësi! Jo të tërësishëm! E dijeni pra, o Ummet!, muslimani që vetes i thotë se ka prijës Kur’anin, atëherë ka një gjë: duhet të jetë edhe pasues! S’ka “kapak”!

Jo, po ndoshta fjalët e Allahut s’meditohen! Kur lexohen, me vëmendje s’dëgjohen e s’vështrohen! E si me vëmendje të dëgjohen, kur zemrat e mendjet janë të zëna me fjalët e njerëzve! “Tha ai kështu, e tha ky kështu!”, e kështu të tërësishëm tërë koha u kalon duke u morë me thashetheme.

E jo vetëm fjalët që u përmendën, ka shumë e shumë shprehjesh tjera, si shpërndarja e “Selamit”; pavetëdija e papërgjegjësia thuajse në kulm!

O Allah! Na ruaj nga padituria dhe papërgjegjësia! Amin!

Ve ma et-teufik ila bilah

Pasuria e muslimanëve!

“Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim.” – Kur’an, 2:274

Shkruan: Avni Tafili

Ide e plane për të ushqyer të varfrit, jetimët e skamnorët, kanë të gjithë. Por, ide e plane për t’u dhënë krah të varfërve, jetimëve e skamnorëve, për t’u gjallëruar e për t’u forcuar, ka fare pak!

Muslimanët s’janë të varfër. E kush tha që të jesh musliman do të thotë të jesh skamnor, varfanjak, i pastrehë, i dobët, e i gjorë! Muslimanët janë më të pasurit në fytyrë të tokës. Po, muslimanët janë të varfër, por jo në mall, por në ide. Jo, muslimanët nuk dinë të investojnë, nuk dinë ta zhvillojnë pasurinë e tyre. Dinë ndonjëherë të jenë të dhimbshëm, vetëm atëherë në media kur shfaqet ndonjë familje skamnore apo ndonjë rast i rëndë, e aty për aty preken emocionalisht dhe japin, pastaj mërdhihen dhe ulen e ngopen!

Të jesh dorështrirë deri në skaje, nuk është e ndaluar. E di, ty të vjen në mendje porosia kur’anore, që muslimani s’duhet të jetë as dorështrënguar e as tepër dorështrirë! Por, më thuaj, Ebu Bekri që dha tërë pasurinë e të tjerë që ndoqën shembullin e tij, u qortuan apo u lëvduan! Jo, Ebu Bekri – radijAllahu anhu, u lëvdua! E dorështrënguar janë ata që s’janë të bindur plotësisht ndaj Allahut dhe Ditës së Gjykimit, dhe të pafetë. Edhe pse japin shumë, por japin për të marrë me tepër se sa e meritojnë!

Pse aty ku jeton shoqëria muslimane ka varfëri! Ka prapambetje! Ka ngecje në zhvillime! Po ka edhe urrejtje, ndasi e përçarje! Po, sepse muslimanët e pasur pasurinë e tyre ose e kanë fshehur në themelet e shtëpisë ose e kanë deponuar në shtëpitë e të huajve. E ata, të huajt, menaxhojnë me pasurinë e muslimanëve sipas planit të tyre – mbajtja nën robërim shoqërinë muslimane.

Muslimanët të paditur, të rreptë e të dëshpëruar! E si të mos jenë, po çka nëse në këtë gjendje të ishin pasanikët e huaj në shoqëritë e tyre, do të shihje jo njerëz të paditur, të rreptë e të dëshpëruar, por njerëz mishngrënës! Por, muslimani i shkretë duron, duke shpresuar se një ditë pasanikët muslimanë udhëzohen dhe shpërblehet durimi i tyre.

E jo pra, ata muslimanë pasanikë nuk kanë për t’u udhëzuar përderisa pasurinë e tyre e shfrytëzojnë për interesat e tyre të ngushta individuale. E s’kanë për të hyr në Kënaqësinë e Allahut përderisa pasurinë e tyre nuk e investojnë në rrugë të Allahut! Ç’është të jepet në rrugë të Allahut! Të formosh fond, e të thërrasësh edhe pasanikë të tjerë muslimanë, e pastaj të hartohen projekte për t’i ndihmuar kategoritë e njerëzve më me urgjencë për t’u vënë në përkrahje.

Sot për çka kanë nevojë më së tepërmi muslimanët! Kanë nevojë për shkollim dhe edukim! Sa investojnë muslimanët në shkollim dhe edukim të gjeneratave të reja? Fare pak! Kush mori një student të devotshëm, i mundur nga kriza, ta ndihmojë e ta përkrah të mbarojë studimet në paqe?! E kush ndihmon në shkolla, e investon njëmend në aftësimin e të rinjve të Ummetit?! Po kush përkrah të miturit, të rinjtë e të rejat! Pak, e fare pak, e sipërfaqshëm! Jo, muslimanët që kanë mall e pasuri kanë llafe! Jo, madje disa s’kanë as llafe, por paratë e tyre i investojnë në gjëra të ndaluara, në fusha që i ndihmojnë shkatërrimit të shoqërisë. Në dëfrim e shtim të mallit haram!

Projektet më të njohura ndër muslimanë: Hoteleritë, restorantet, kafe-baret, supermarketet, butikët. Mos kam harruar ndonjë projekt tjetër, ku paratë e muslimanëve destinohen? Po, edhe në arkat e bankave! E ky është pra investim, që muslimanëve gjakun po ua pi me pambuk!

Islami është paqe! Nuk është luftë! E bankat joislame njeriut luftë i kanë shpallur, ndërsa Islami thotë: Ndal! Mos keqpërdorë pasurinë e njerëzve! Kur paratë destinohen nëpër arkat e bankave joislame, deponuesit ia paraqesin disa oferta (kurthe), ose bashkëpunim (aleancë në mashtrim), ndërsa qytetarit nevojtar ia tregojnë kushtet, ose me paratë e ofertuesit ose me paratë e bashkëpunëtorit. Jo, luftë s’kanë shpallur, por duan të pasur në kurriz të njerëzve nevojtarë të bëhen!

T’i kthehemi projekteve! Projekt me gjithë mend! Bejtu-l-Mal s’ka! E ç’dimë ne se ç’është kjo! Është Shtëpia e Pasurisë së Muslimanëve. Kush prej muslimanëve është në gjumë, e lenë pasurinë aty, ndërsa muslimanët e zgjuar marrin aty për të zhvilluar dhe shpërndarë pasurinë e tij në shoqëri. Kush s’ka ide sesi ta shfrytëzojë pasurinë e tij, nuk e deponon, por e le në qarkullim, ama në duart e njerëzve muslimanë që kanë ide dhe plane.

Ide e plane për të ushqyer të varfrit, jetimët e skamnorët, kanë të gjithë. Por, ide e plane për t’u dhënë krah të varfërve, jetimëve e skamnorëve për t’u gjallëruar e për t’u forcuar, ka fare pak. Nuk është rëndë të ndihmosh një familje, vetëm merr pak prej pasurisë dhe ua dërgon, por ta pavarësosh atë familje nga pasuria jote, është pak rëndë sot për sot! Sot pasuria e muslimanëve shkapërderdhet, varëson, e nuk qarkullon e nuk pavarëson!

E kjo është pra dora e shtrirë! Shtrihet, e shkapërderdhet, e vetëm barqet nginë. Ndërsa Allahu është Ai që furnizon. Dhe, thuhet fjala popullore: askush prej urisë s’ka vdekur. Edhe pse nëpër mediet e të mëshirshmëve – organizatat e huaja, na tregojnë neve sesi njerëzit në Afrikë e gjetkë vdiqën prej urisë, jo ata s’po vdesin prej urisë, por prej bukës që u jepet. Nejse…

Pra, le ta dimë o Ummet! Se pasuria është përgjegjësi e madhe. Sado qoftë ajo, nëse ti nuk e shfrytëzon në rrugë të Allahut, dije se, herët a vonë, ajo pasuri do të kthehet në zjarr kundër teje. Ruana Zot! Edhe dije se, sadakaja dhe zekati nuk duhet të shkapërderdhet, por të shpërndahet! Shpërndarje nuk është vetëm sadakaja dhe zekati, por e tërë pasuria jote! E kur ti tërë pasurinë tënde e fut në qarkullim në rrugë të Allahut – në dobi të shoqërisë, atëherë flasim edhe për zgjim të Ummetit dhe ngritje të tij!

Mjerë! Prapë mjerë për ata njerëz që shtiren se Zotit i besojnë, ndërsa me pasurinë e tyre rrugën e Tij e pengojnë!!! Kur vetëm për një fjalë, që dikë e ka rënduar, llogari do të kërkohet, po çka për atë që me pasurinë e tij dobëson e shkatërron me mijëra!

“Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e All-llahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehennem.” – Kur’an, 8:36

Dijeni o ju muslimanë të pasur, se malli e pasuria, gratë e familja, e gjithçka në këtë jetë është sprovë e provë, janë zbukuruar për t’u dalluar kush e do të ardhmen tek Allahu e kush jo.

“Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek All-llahu është e ardhmja më e mirë.” – Kur’an, 3:14

E ti, pranove apo refuzove, gjithçka i takon Allahut, asnjë gjë s’është pronë e jotja! As orizin e sheshtë që hanë të pasurit!

Allahu na ruajttë e na udhëzoftë!

Ve ma et-teufik ila bilah

*Duke iu përmbajtur parimit: thjesht, shkurt dhe qartë, s’kam hyr në detaje e statistika, sepse muslimanët e sodit s’kanë kohë të lexojnë!