Duke u arsyetuar…

2039850275_7821187e6b3“E mbështetu në All-llahun, se mjafton që All-llahu të jetë mbrojtës yti.” – Kur’an, 33:3

Shkruan: Avni Tafili

Ti çdo ditë hapë një derë të ikjes prej përgjegjësisë, ndërsa mbyllë dyert e shpresës dhe të forcës

Nuk të frymëzojnë të mirën. E ti ende pret, duke u arsyetuar. Mos u arsyeto, përballu.

Kur një i shtyrë në moshë arsyetohet, është arsye, pasi koha i ka shkelur aftësitë e mundësitë e tija; megjithëse, prapë të paktën mund të bëhet thirrës për të mos rënë të tjetër, ende të pashkelur nga e pakthyeshmja, koha. Por, disi kur një i moshuar më arsyetohet, detyrimisht ndjej dhembshuri ndaj tij, mëshirë e keqardhje. Ama, një i ri, sado që mund të arsyetohet, e çfarëdo qofshin ato arsyetime, kurrë nuk mund të pranohen.

Të arsyetuarit, duke qenë mohues, është e urrejtshme. As të vdekurve nuk u pranohet arsyetimi, kur ata duke u arsyetuar, kërkojnë që të kthehen edhe njëherë në jetën e Dunjasë për të qenë ndryshe nga çka ishin; të ishin besimtarë e vepërmirë, ama u refuzohet, sepse kush e arsyeton të kaluarën duke qenë mohues i mësimit, arsyetimi thjesht mbet fjalë që e pëshpëritë goja, e jo shtytës për të mësuar.

Gjithnjë kur ikën koha, duke u vajtuar e kaluara, njeriu i dobët e ngushëllon veten duke gjetur lloj-lloj arsyetimesh. Kështu, jo duke i kujtuar lëshimet, gabimet, padrejtësitë ndaj vetvetes, por duke i ripërsëritur ato, edhe pse ndoshta pavetëdije.

Njeriu kur arsyetohet, realisht është duke mohuar aftësitë dhe mundësitë. Është edhe mohues i dhuntive, që iu dhanë para se të lindte. Ti duke u justifikuar, e duke legjitimuar arsyetimet, dije se, je duke e dëmtuar vetveten, e më keq, je duke e varrosur zemrën e mendjen. Sot, mjerisht, muslimanët pak gjejnë inspirim që gjallëron, më tepër është prirja për të gjetur prehje që ngushëllon, por aty ku përmendet sakrificat, inspirimi shndërrohet në dëshpërim.

Kush beson Allahun dhe Ditën e Ringjalljes, nuk guxon të dyshojë në ndryshim, përmirësim dhe përparim. Njeriu i bindur në fuqitë e veta, i bindur në aftësitë dhe mundësitë që mund t’i ketë, është njeriu që ka gjetur forcën, forcë që gjithnjë e mbanë të gjallë, plot shpresë dhe bindje për të nesërme të ndritshme. Këtë forcë shumë njerëz e injorojnë, në veçanti të rinjtë, disa prej padijes, e disa prej mungesës së besimit. Kur te ndonjëri bashkohet padija dhe besimi i dobët, është i zbrazët në brendshmin e tij.

Vallë, a mund të ketë njeri pa brenga? A mund të ketë njeri pa shqetësime? A mund të ketë njeri pa probleme? A mund të ketë njeri pa dështime? Të gjithë njerëzit, e në veçanti besimtarët, janë të sprovuarit, shijojnë brengën, dështimin. Brenga e dështimi, çfarëdo qoftë shkaku, njeriun besimtar e bënë edhe më të fortë, ia nxit ndërgjegjen për ta ndryshuar këtë gjendje. E më tepër, e bënë të mendojë.

Është të menduar i mbrapshtë të mendohet e kaluara, jo për të marrë mësim, por duke e shndërruar mësimin në vajtim. Është për t’u çuditur, njeriu që duke i kujtuar gabimet e veta, i përsëritë ato, tani duke menduar se është duke bërë gjënë e duhur, kështu e kalon gjysmën tjetër të kohës, po aq sa i ka kaluar, në dështim e dëshpërim.

Mirëpo, çka ndodhë sot, kryesisht me të rinjtë e Ummetit, atëherë kur sprovohen me diçka, ligështohen, dobësohen e dorëzohen. Kështu, duke harruar përgjegjësitë. Po edhe duke ia mohuar vetvetes fuqinë shndërruese. Jo vetëm kaq, por edhe duke u bërë pjesë e gjendjes, e kapluar me rrënim e dëshpërim.

Varfëria është shenjë e padrejtësisë, pse ti nuk lufton për drejtësi? Pamëshira mes njerëzve është shenjë e zbehjes së besimit, pse ti nuk e dëshmon besimin me mëshirë, e të bëhesh shembull i mëshirës? E ti, nuk e shndërron brengën në qetësi e prehje, por ti e shton atë; nuk e shndërron pengesën në urë për të kaluar në tokë të suksesit, por i nxjerr vetes edhe më shumë pengesa.

Ti çdo ditë hapë një derë të ikjes prej përgjegjësisë, ndërsa mbyllë dyert e shpresës dhe të forcës. Pak shpreson në fuqinë e ndryshimit, në fuqinë e përmirësimit. Arsyetohesh, duke injoruar konceptet e drejta ndaj fjalës ndryshim e përmirësim. Mund të mendohet se, ndryshimi e përmirësimi, thjesht të kesh jetë të pasur me aheng e dëfrim; të kesh shtëpi “me standarde” të atij vendi e të këtij vendi, të kesh atë e këtë, ama, ke harruar ndoshta, se nuk bëhet fjalë për transformim të gjendjes materiale por të asaj mendore e shpirtërore.

Sado të bukur ta kesh jetën, siç mund ta ëndërrosh, dije se, përderisa nuk ndjehesh i sigurt në rrugë, asgjë s’të duhet nga fitimi yt; po edhe çfarëdo gjendje materiale të jesh, nëse njerëzit përreth teje i ka kapluar e keqja, ty s’të bën kurrë të ndjehesh i qetë. Mendja dhe shpirti prehen kur ndjejnë drejtësinë, sigurinë e qetësinë. Një shoqëri që e kaplon padrejtësia, aty s’ka mëshirë; s’mund të prehet mendja e shpirti i njeriut. E ti mund të arsyetohesh, se akëcili është kështu e ashtu, duke pohuar mirësinë në vetvete, por je duke mohuar se ti je pjesë e asaj shoqërie. Ti nëse mendon e ndjen të keqen dhe e lufton atë, medoemos do jetë çështja ndryshe.

Prindërit s’frymojnë! E ti ende pret? Familja s’përkrah! E ti ende pret? Miqtë tuaj janë dëfryes! E ti ende pret? Shoqëria e pandërgjegjshme ndaj teje! E ti ende pret? Udhëheqësit e padrejtë! E ti ende pret?

A s’të mjafton vetëm Allahu? Vetëm Atij t’i mbështetesh, e vetëm Atë ta kesh mbrojtës?

Ti ende pret, duke u arsyetuar. Mos arsyeto, ndjek udhëzimin e drejtë. Është padrejtësi ta viktimizosh veten, e padrejtësi më e madhe është të injorosh udhëzimin e drejtë. Ke menduar ndonjëherë se, si prindi, si familja, si miku, si shoqëria, si udhëheqësi, nuk janë veçse pasqyrë e gjendjes sate; reflektim i yti?

Allahu na udhëzoftë!

Hezitimi!

241419469_a9c648a91e_m“Dhe thuaj: Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët” – Kur’an, 9:105

Shkruan: Avni Tafili

E ti heziton të studiosh! Heziton në Xhami të punosh! Heziton vëllezërit t’i pajtosh! Heziton motrat t’i bashkosh! Heziton një qindarkë për Islam ta shpenzosh! Heziton penën në dorë ta rrekësh! Heziton të padrejtit, i padrejtë t’i thuash! Heziton të pa udhëzuarin, ta këshillosh!

Ngadhënjimi i takon të bindurve, të sinqertëve, besimtarëve; robërve të Allahut, Ngadhënjyesit, Zotit të çdo gjëje.

Hezitimi! Kancer që ha ëndrrat e njeriut. Bën të vdes vizioni, e të ngrirët vullneti. Mjerim! Prapë mjerim, për atë që është hezitues, e nuk e heton. Të hezitosh, do të thotë, të mos kesh guxim. Epo, ti ndoshta e ndjen këtë ndjesi, por ti nuk e kupton se po heziton. Po fillon, e po ndalon. Ke frikë. E prej kujt ke frikë! Ke turp. E prej kujt ke turp! Këta njerëz, hezitues, vallë, a nuk kanë Zot, Allahun Gjithëpërfshirës? A nuk mendojnë se të qenët rob i devotshëm i Allahut, s’ka gjë që mund ta ndaloj?

E jo pra! S’ke për të ndryshuar, e as s’ke për t’u përmirësuar, e as s’ke për t’u zgjuar, e as s’ke për të qenë pishtar i thirrjes në dhuntitë e Zotit tënd, përderisa ti nuk e mposhtë vetveten hezituese! Jo, kurrë! Përderisa ti i dëgjon pëshpëritjet e njerëzve frikacakë, e dembelë, e të papërgjegjshëm. Ata po, të bëjnë ty të hezitosh, çdo herë kur synon të bësh diçka ndryshe, diçka të pazakontë, ti heziton!

E ç’të bëri të jetosh nën hijen e hukamës së njerëzve të shtangur nën çadrën e traditave të mbrapshta njerëzore? Vallë, a nuk të mjafton shembulli i muslimanëve të guximshëm, të pathyeshëm, të urtë e  shpues drejt zgjimit e ndryshimit? A dëgjon njerëzit, që e kaluara, e sotshmja dhe e ardhmja e tyre është paracaktuar të jetë si e kaluara e sotshmja dhe e ardhmja e të parëve të tyre, të pashpresë, të dobët, e të thyeshëm?

Jo, ti mund ta thyesh këtë traditë të mbrapshtë! Traditë e njerëzve përtacë e të dobët. Traditë e njerëzve që e prunë gjendjen e Ummetit në këtë gjendje që është. Vallë, mos të parët tanë arsyetohen! Të mos arsyetohen, që ne të mos i akuzojmë, por unë e ti ta ndryshojmë rrjedhën e historisë! Po, nëse ti për model s’merr njeriun që veçmë ka trashëguar gjenin e njeriut që shpreson kot, e frikësohet kot, e tmerrohet kot, e turpërohet kot! S’ka turp, kur zëri thërret për zgjim; s’ka hezitim për veprën që bëhet për përmirësim!

Ti heziton! Por jo të gjithë janë si ty! Ti merr mësim! E prej kujt sot të marrësh mësim! Muslimanët sot thuajse për gjithçka hezitojnë. E pse ju bijë të rinj të Islamit pra nuk bëheni model për të tjerë? Islami kërkon angazhim, jo hezitim. Islami është fuqi, jo dobësi, Kur’ani është dritë, jo errësirë, Shëmbëlltyra e Muhammedit a.s. është mësim, jo thjesht interpretim! E pra, dijeni o Ummet, përderisa nuk i thua “Mjaft!” hezitimit, kur prej teje kërkohet angazhim për punë të hajrit, mos më vajto e as mos u anko, po as mos shpreso për të ardhme të ndritshme nën hijen e pastërtisë dhe bukurisë së Islamit!

Njerëzit hezitojnë! Prirje e njerëzve të pa sprovuar. Njerëz që nuk janë mësuar me jetën e vështirë. Nuk kanë vuajtur. Të përkëdhelurit! Këta janë të dobëtit, të ligshtit, të pashpresët; hezituesit! E pse pra bijtë e Islamit të hezitojnë? A nuk po e shijojnë poshtërimin që atyre u bëhet në çdo kënd? A nuk po e hetojnë padrejtësinë që u bëhet atyre gjithandej e këtej? A nuk po shohin sesi fjala Islam është shndërruar në objektiv e shënjestër e njerëzve, që s’hezitojnë, por kundër të vërtetës krye kanë ngritur? A nuk dëgjon sesi mendjet manipulohen, rrugën e Zotit për ta groposur?

E ti heziton të studiosh! Heziton në Xhami të punosh! Heziton vëllezërit t’i pajtosh! Heziton motrat t’i bashkosh! Heziton një qindarkë për Islam ta shpenzosh! Heziton penën në dorë ta rrekësh! Heziton të padrejtit, i padrejtë t’i thuash! Heziton të pa udhëzuarin, ta këshillosh! Heziton motrën e pambuluar, ta këshillosh! E ti hezito, ndërsa njerëzit armiq të së vërtetës, po veprojnë, e fare s’po hezitojnë. Ata janë të shpërndarë kudo, e prej çdo këndi bijtë muslimanë po i luftojnë.

O bijë të Islamit! Deri kur do të mendoheni! Deri kur do të rrini të heshtur! Deri kur do të prisni! E kë po prisni, derisa në shtëpitë tuaja armiku t’ju hyjë? Jo, dijeni pra! Armiku më ka hyrë, e ti duke pritur. E kë e çka je duke pritur vallë!? A nuk e sheh, sesi fëmijët janë duke u edukuar, jo me fjalën e Zotit, a nuk po sheh se me çka të rinjtë e të rejat e Ummetit po frymëzohen, a nuk sheh sesi “objektet e thirrjes” janë shndërruar në objekte të ndarjes, urrejtjes e përçarjes? A nuk sheh sesi radhët e muslimanëve janë shkapërderdhur? E ti heziton të veprosh e të bëhesh shkaktar për ndryshim e përmirësim të gjendjes! E kë pret të mos hezitoj, kur ti heziton! E pse të mos jesh ti model kundër këtij kanceri ëndrra-ngrënës, e shpresa-mbytës, e vullnet-prishës?

Më thuaj, kë ke Zot? Kë ke shëmbëlltyrë? Kë ke udhërrëfyes? Kë ke ndihmës? O vëlla e motër për hir të Zotit që na krijoi, e na udhëzoi, ke pra Zot, Allahun, Ngadhënjyesin, të Gjithëfuqishmin, Furnizuesin; e shëmbëlltyrë Muhammedin – salAllahu alejhi ve selem, njeriun më të pastër, më të ndershëm, më të urtin, më të ngriturin, më të lavdëruarin! Po ke burimin hyjnor, ke fuqi e dritë që nuk shteret, ke Librin e Allahut, Kur’anin dhe Trashëgiminë e të Dërguarit të Allahut, Sunnetin! E ti ende të hezitosh!?…

Dil nga rrethi, që ty po të rrotullon drejt dështimit e dëshpërimit! Allahu na ruajttë!

E pra, dije, hezitimi është turp për muslimanin! Është dobësi e gjallë! Është dëshmi e bindjes së brishtë! Është shpresë jo e plotë në ngadhënjim e fitore! Ndërsa, ngadhënjimi, fitorja, e tërë trashëgimia i takon të bindurve, të sinqertëve, besimtarëve, robërve të denjë e të devotshëm të Allahut, Zotit të çdo gjëje!

O Allah na udhëzo!

Ndikohu, ndiko, ndikohesh

zgjim“A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i All-llahut?” – Kur’an, 5:50

Shkruan: Avni Tafili

Nuk është i ndikuar njëmend, ai që shpërndan dijen, por ai që dijen e jetëson në zemrat, mendjet dhe veprimet e njerëzve. Gjithkush mund të flas, e gjithkush mund të shpërndajë edhe dije, qoftë nëpërmjet gjuhës apo penës, apo qoftë edhe nëpërmjet letrës, por pak njerëz mund të ecin në këmbë, të lëvizin, të çajnë e të shpojnë muret!

Përmirësimi; duke u ndikuar, duke ndikuar, pastaj ndikimi i gjithëmbarshëm!

Nuk ndikon pa u ndikuar, e si të ndikohesh pa ndikuar! Ndikohet kush këshillën e qortimin e merr vesh, e kupton, e ndjen pastaj e praktikon. Për t’iu përgjigjur thirrjes, patjetër kërkohet horizont të njohjes për të arritur deri tek bindja. Pa s’patë bindje e besueshmëri, njeriu bëhet sikur dëgjon, bëhet sikur kupton, e madje bëhet edhe sikur është ndikuar. Kjo është cilësi e njerëzve të dobët. Të cilët pretendojnë çka nuk janë.

S’ka aftësim, e zgjerim të horizontit të njohjes nëpërmjet nxënies përmendësh, kështu duke i bërë padrejtësi intelektit, arsyes. Kujtesa është për të ruajtur, jo për të vlerësuar e për të arsyetuar. Kur njeriu pra mbledh informacion – mban në kokën e tij libra, mirëpo nuk arsyeton, është sikur shembulli i një gomari që mbi kurriz të tij i janë vënë tubë librash. Gomari nuk arsyeton, por vetëm mund të mbajë. E pra, pa e përdorur arsyen, logjikën, të menduarit e thuktë, nuk mund të shfrytëzohet dije, e as nuk ka sesi të shtihet në veprim.

Ndërgjegjësimi për t’u ndikuar e për të ndikuar nuk mund të arrihet përderisa ende qarkullon koncepti rreth dijes: se dija është vetëm të dihet çka e çfarë është e bardhë a e zezë, pasi në rrethanë a gjendje të caktuar kur ngjyrat përzihen, rrethanat ngjyrosin gjendjen, mbetet pa përgjigje, i hutuar. Po, këtu pra fillojnë të ndërlikohen çështjet, e si mund të flitet për ndikim e ndryshim, kur njerëzit mbesin pa zgjidhje, mbesin pa përgjigje. Njerëzit që ia mësyjnë ndryshimit nuk rrinë të dëgjojnë fjalë të thata, por fjalë plot jetë e udhëzim që shpon e gjallëron.

Dije pra! S’ka aftësim, as ndërgjegjësim, as zgjim, as ndryshim e përmirësim, po s’patë përgjigje që problemin e sfidon dhe e zgjidh! Ndikimi që ndryshon e përmirëson s’mund të arrihet veçse duke pasur në konsideratë disa rregulla, ashtu siç është rregulli: pa ujë, s’ka të reshurave prej qiellit. Ata që flasin, por nuk janë praktikë, faji nuk është në dijen e tyre, një njeri mund të jetë njohës e dijetar, ama praktika dhe zbatimi ka rregulla tjera, i takon një niveli tjetër, më tepër është pjesë e përvojës sesa e të nxënit të dijes. Kështu që, për të jetësuar një fjalë, një mendim a një ide, që të arrihet ndikimi – jetësimi, kërkohet të vihen disa rregulla. Duhet patjetër të njihet mentaliteti dhe kultura e njerëzve, të njihen problemet e tyre, të njihen traditat dhe shprehitë e tyre. Ti mund të flasësh tërë kohën, e ti duke menduar se njeriu përballë teje me një lëvizje të kokës – duke miratuar atë që thua, të mendosh se ia arrite qëllimit, e ndryshove – ndikove.

Faji nuk është te njeriu përballë teje, por tek ti! Sepse ti nuk e njeh atë. Nuk i njeh fytyrat e njerëzve. Njerëzit dinë edhe të tjerëve t’ua marrin kohën, pa kurrfarë përgjegjësie. Po dinë edhe t’ua bëjnë qejfin të tjerëve. E ti mendon se je duke ndryshuar, e je duke ndikuar. E vetmja gjë që të ka bindur se, ata mblidhen përreth teje. Për ta kuptuar këtë, e për ta kuptuar atë, e për të parë argumentin e besimit dhe të ndikimit, le të ftohen të sakrifikojnë, le të ftohen të mos gënjejnë, le të ftohen të mos shpifin, le të ftohen që të jenë të sinqertë, le të ftohen që të mos paragjykojnë, atëherë le të vihen edhe masa ndëshkuese, si bojkoti, në rast se thyhen këto parime, e pastaj mund të flitet për ndikim e përmirësim.

Aftësia për të zgjedhur! Dhunti e pak njerëzve. Mendja e njeriut që nuk ngutet e as nuk anon në krahun e ndjenjave kur hutojnë. Ti mund të aftësohesh! Atë që lexon e dëgjon, mos e prano tërësisht pa menduar. Jepi mendjes kohë të arsyetoj. Që të bëhet zgjedhja e duhur në kohën e duhur dhe rrethanat e veta. Një e lexuar a e dëgjuar, mund të jetë plotësisht e saktë, e nuk është çështja në vërtetësinë apo pavërtetësinë e asaj që thuhet, por nëse i përgjigjet gjendjes dhe rrethanës në të cilën gjendesh; si të praktikohet a si të jetësohet. Kjo është aftësia për të zgjedhur, pra kohën dhe vendin. Kur aftësia për të zgjedhur është në nivel, atëherë edhe ndikohesh edhe ndikon. Nuk është “ndikim” të pranosh a të besosh, por të jetosh me atë që pranon e beson!

Nuk është i ndikuar njëmend, ai që shpërndan dijen, por ai që dijen e jetëson në zemrat, mendjet dhe veprimet e njerëzve. Gjithkush mund të flas, e gjithkush mund të shpërndajë edhe dijen, qoftë nëpërmjet gjuhës apo penës, apo qoftë edhe nëpërmjet letrës, por pak njerëz mund të ecin në këmbë, të lëvizin, të çajnë e të shpojnë muret! E si vallë, mund të jetë i ndikuar, madje edhe tek të tjerët të ndikojë, ai që dëgjon, e vetëm trurin e ngarkon, nuk arsyeton e s’logjikon, e nuk vepron? Faji prapë nuk është i dëgjuesit, por folësit – thirrësit. Ai që dëgjon, është në zor, kërkon përgjigje, shpreson në zgjidhje.

Sa lehtë që është të urdhërosh e të ndalosh, të këshillosh e të qortosh, por sa vështirë që pasi ta bësh gjithë atë, t’u sigurosh paqe e sukses. Mund të ftohen njerëzit të mbarojnë shkolla, të ndërtojnë xhamish etj., por pak po ftohet (po mësohet) për t’i plotësuar kushtet që shpijnë në kryerjen e shkollave, a në përmirësimin e gjendjes financiare për të ndërtuar xhamish! E pra, s’mund të ketë ndikim, pa plotësuar rregulla e kushte. E rregullat e kushtet kur afrohen, edhe përgjigjet janë të duhura, që zgjidhin e shpojnë rrugët.

Po çka nëse flitet, e shkruhet tërë kohën, ndërsa ti mjaftohesh vetëm me “mirë” ose “keq”, e quan këtë ndryshim e ndikim? Jo kurrsesi! Kur flitet e shkruhet, e vullnet për të hapur rrugësh e për të afruar zgjidhjesh, nuk është dinjitoze e as e ndërgjegjshme përgjigjja të jetë me komplimente e me lutje e të rrish n’vend. Po, i jepet kurajë folësit a shkruesit apo atij që lëvizë, ama ç’do t’i vlente kuraja, nëse shkrihet e s’gjallërohet gjë, posi qiri i mbuluar me pëlhurë të zezë! E jo pra! Kush do ndryshim, përmirësim e zgjim, lexon e mendon, zgjedh e cakton, lëvizë e vepron!

Në çka ndikon, ndikohesh! Kush ndikon për drejtësi, me drejtësi ndikohet, e kush ndikon për urrejtje, me urrejtje ndikohet. Çfarëdo qofshin pretendimet!

Armik i ndikimit të njëmendtë, është konsumimi i pa filtruar. Mund të konsumojmë tërë kohën forca negative, e ne duke menduar se jemi duke u ndërgjegjësuar, derisa një ditë ngulfatemi, e kur të na zihet fryma, nënshtrohemi e dorëzohemi! Kjo është pra ajo që quhet: lodhje e ftohje. Sikur shembulli i atij që ndodhet në gjerësinë e shkretëtirës, etet dhe kërkon ujë, ndërsa prijësi për tek uji të mos e njoh fare atë territor, e ta çojë sa në një skaj në tjetrin, e kur ta kap etja e mundimshme, i dorëzohet dheut të tokës.

Le ta dijë pra, kush synon të ndikohet prej këshillës së dobishme e prej qortimit të njëmendtë, e të ndikojë e të ndikohet, se humbje nuk është të zgjohet prej gjumit i etur, por i pashpresë. Këtë pak njerëz mund ta kuptojnë!

O Allah, na udhëzo e na ruaj nga çdo gjë që na shpie në etje të përhershme!

Ve ma et-teufik ila bilah

Kur për ndonjë çështje thirresh!

“Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: ‘Dëgjuam dhe respektuam!’ Të tillët janë ata të shpëtuarit.” – Kur’an, 24:51

Shkruan: Avni Tafili

E kur thirren të bëjnë diçka, mjaftohen me fjalët “InshaAllah!”, e kur nuk mbaron punë (pa u përpjekur!), të thotë: Epo, s’deshi Allahu! – SubhanAllah! Vallë, sa është i ndërgjegjshëm muslimani i këtillë, se kjo mund të jetë tallje e qartë!

Jo vetëm “dëgjuam”, por edhe “respektuam”, e respekti duhet të shprehet e të dëshmohet vazhdimisht!

“Allahu e di më së miri!”, kështu shumë muslimanë thonë, e shpeshherë për t’i ikur përgjegjësisë, e ndonjëherë për të fshehur paditurinë, për të mbuluar përtacinë e dobësinë. Po, e kur thirresh për të gjykuar në ndonjë çështje, e kur thirresh për të thënë mendim a për të bërë diçka, hesht e tërhiqesh duke thënë “Allahu e di më së miri!” E kush tha që Allahu nuk e di më së miri! SubhanAllah! Pa kurrfarë dyshimi Allahu është i Gjithëdijshmi, por thuaj të paktën “Nuk di!”, “Nuk mundem!”, “Jam i dobët!”. Po të ishte Omeri – radijAllahu anhu në këtë kohë pale sa muslimanin do ta shkundte!

E sikur këtë fjalë ta pëshpëritnin zemrat e mendjet. Jo, assesi! E pëshpëritin gjuhët, madje majat e gjuhëve! E mendja e zemra e të papërgjegjshmëve është në maje të gjuhëve, e jo në thellësi të zemrave të tyre! E kurrsesi s’ka mbështetje të njëmendtë! Nëse mendjet janë të sëmura apo zemrat, ende në fije s’u bihet. Traditë e trashëguar prej muslimanëve përtacë e dembel të mëparshëm. Ku nuk morën traditë tjetër, po gjetën shprehinë që vetë gjenerata e parë e dënonte si ikje prej përgjegjësisë!

Kjo kategori e muslimanëve dëshiron të shfaq devotshmëri apo çfarë! Ec e bjeri n’fije! Jo, s’mund ta pranonte muslimani i arsyeshëm si devotshmëri, se devotshmëria nuk është në gjuhë, por në fryte që veprat e njeriut japin!

“Allahu di, e ju s’dini!” vetëm këtë sikur ta merrnin me gjithë mend muslimanët sot! Por, jo! Kur thuhet “Allahu thotë”, as frymë thellë s’merret, e kur thuhet: “ka thënë filani”, hapen veshët, ngrihen kapakët e syve, e mezi presin të përfundojë fjala, që të përgjigjen! E ç’do të thotë kjo! Peshon ndërgjegjja e përgjigjes ndaj krijesës e jo ndaj Krijuesit të krijesës. E më tepër vlerësohet e i kushtohet vëmendje fjalës njerëzore, sesa shpalljes hyjnore! Ruana Zot nga kjo gjendje!

Jo nuk është devotshmëri pra! Kur thuhet “Allahu thotë”, duhet të sundojë heshtja, qetësia, përulja, dhe përmallimi për Të! Të mendohet për madhështinë, për bujarinë, për fuqinë, për mëshirën, për ndëshkimin, për pushtetin, për urtësinë e Zotit, Allahut të Madhërishëm! Do të mjaftonte pra për muslimanin, që kur vetëm emri “Allah” të përmendej, të përulej me ndërgjegjen e tij! Të dëgjonte dhe të respektonte!

Allahu urdhëron, ndërsa pak dëgjojnë. Allahu ndalon, ndërsa shumë vazhdojnë. Allahu thotë: mos shpif!, ndërsa pak janë që s’shpifin. Allahu thotë: mos hani pasurinë me të padrejtë!, ndërsa pak janë që ndalojnë. Allahu thotë: besimtarët janë vëllezër!, ndërsa shumë armiqësohen e përçahen. Allahu thotë: më mirë për ju të falni!, ndërsa muslimanët hakmerren e urrejnë. Allahu thotë: a menduat se do të hyni në Xhennet pa u sprovuar…, e të shumtë kur sprovohen, qajnë e dorëzohen. Allahu thotë: Lexo!, ndërsa pak, e fare pak lexojnë! E Allahu thotë: jepni prej asaj që ju furnizuam!, e ti s’jep asnjë qindarkë!

E ti thua: “Allahu e di më së miri!”, ndërsa po ti, vepron sipas mendjes sate! Ti s’ke dije, dije kanë të devotshmit, e të devotshëm janë ata që Allahun dëgjojnë dhe ndaj Tij janë plotësisht të nënshtruar. Në ç’gjendje qenka kjo kategori e njerëzve, vallë! Më tepër janë të ngjashëm me të padijshmit; prej atyre që s’mendojnë e as logjikojnë. Flasin e thonë pa vetëdije, dëgjojnë e veprojnë pa vetëdije. Jo, këta mund t’i përkasin kategorisë së njerëzve, të cilët thonë atë që s’veprojnë. E këta pra, janë njerëz, që mbi ta bie urrejtja. Kur urrehen, s’mund të japin respekt e dashuri. E këta qenkan që Ummetin armiqësuakan! Allahu na udhëzoftë!

E kur thirren të bëjnë diçka, mjaftohen me fjalët “InshaAllah!”, e kur nuk mbaron punë (pa u përpjekur!), të thotë: Epo, s’deshi Allahu! – SubhanAllah! Vallë, sa është i ndërgjegjshëm muslimani i këtillë, se kjo mund të jetë tallje e qartë! E pra, tallet, i tallur mbet, pasi asgjë s’mund të bëjë më, i paaftë mbet!

Jo, tallja me dinin e Allahut, është kufër pra!

O musliman i dashur! Kur’ani, Fjalë e Allahut që udhëzon! Është dritë që shpon e depërton e zgjidh çdo çështje. E pse ti të rrish në këtë gjendje që je, duke formuluar arsyetime të llojllojshme; pse o Bij të Islamit! Pse ia bëni vetes gropën! E pse të bihet në nivelin e atyre njerëzve që s’u bënë dobi këshilla! Ata janë njerëzit që vetveten e tyre e kanë rënduar, e kanë dobësuar, e kanë paaftësuar, e kanë verbuar; po ata janë që Ditën e Gjykimit do të përpiqen të vazhdojnë avazin e arsyetimeve të tyre, por atë Ditë s’bën më gjë dobi!

O bij të Islamit! Ne e lexojmë Kur’anin, ndoshta edhe jo aq sa duhet, por shumë pak muslimanët me Kur’anin po udhëzohen. Ndër shkaqet, sepse udhëzimin kur’anor sot pak muslimanë e marrin si tërësi, e shumë muslimanë pjesë-pjesë, e diçka-diçka. Po jo si tërësi! Jo të tërësishëm! E dijeni pra, o Ummet!, muslimani që vetes i thotë se ka prijës Kur’anin, atëherë ka një gjë: duhet të jetë edhe pasues! S’ka “kapak”!

Jo, po ndoshta fjalët e Allahut s’meditohen! Kur lexohen, me vëmendje s’dëgjohen e s’vështrohen! E si me vëmendje të dëgjohen, kur zemrat e mendjet janë të zëna me fjalët e njerëzve! “Tha ai kështu, e tha ky kështu!”, e kështu të tërësishëm tërë koha u kalon duke u morë me thashetheme.

E jo vetëm fjalët që u përmendën, ka shumë e shumë shprehjesh tjera, si shpërndarja e “Selamit”; pavetëdija e papërgjegjësia thuajse në kulm!

O Allah! Na ruaj nga padituria dhe papërgjegjësia! Amin!

Ve ma et-teufik ila bilah

Muslimanja, gjysma e mohuar e shoqërisë!

“Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” – Kur’an, 2:187

Shkruan: Avni Tafili

Kurrë pra! Përderisa gratë muslimane – gjysma e shoqërisë, të mohohen, e të mos e thonë fjalën e tyre, të mos shprehin idetë e tyre e të mos kenë vendin që e meritojnë në shoqëri!

Gruaja muslimane është e paaftë të flas, e paaftë të mendojë, e paaftë të udhëheqë, e paaftë të komunikojë! Jo, s’është e paaftë, por shoqëria burrërore e ka shndërruar në grua, që duhet vetëm të gatuajë e të heshtë! Po, muslimanja nuk ka të drejtë të shkojë në Xhami, se Xhamia është vetëm për burrat! Nuk ka të drejtë  të shkojë në mbledhim e në kuvendime, sepse gratë nuk dinë të flasin e as të mendojnë. Gruaja është krijuar për të dëgjuar burrin, dhe të jetë në shërbim vetëm ndaj burrit të vet, e aspak nuk ka të drejtë të jetë e integruar në shoqëri, e të thotë mendimin e vet, e ta plotësojë atë me virtytin femëror!

Fëmijët s’po na dëgjojnë! Të rinjtë tanë kanë devijuar, – thonë burrat muslimanë, e prindërit e devotshëm. Po, e si t’ju dëgjojnë, kur edukatorja e njeriut, Nëna, e si të mos devijojnë, kur mbikëqyrësja, Nëna, nuk di gjë se ç’ndodh në rrugë, e çfarë kulture e çfarë gjendje po përjetojnë fëmijët e saj! Jo, ajo është e prangosur! O burrë e prind musliman, atë e ke bërë të paaftë t’i kuptojë sfidat, me të cilat ballafaqohen fëmijët tuaj, e si ajo të jetë edukatore, e si ajo të jetë nënë e suksesshme, kur fëmijët e saj bredhin tërë kohën jashtë shtëpisë, e ajo të ketë dijeni se ku, çfarë e pse!

Çfarë padrejtësie që i bëjnë nënës, gruas, muslimanes! Ajo lihet e gjorë e mjerë brenda mureve, përderisa burrat të preokupuar me dunjallëkun dhe hallet e saj, fëmijët lihen nën mëshirën e të pamëshirshmit, rrugës! Burri e prindi musliman është i zënë! Hallet e dunjasë e kanë pushtuar. Nuk është në gjendje të mendojë e as të edukojë. Atëherë, pse gruas sate ia mohon virtytin, ia mohon pjesën e saj, që mund të jepte ndaj fëmijëve të saj, ndaj shoqërisë, që ty të ka rrëzuar përtokë!

E sa janë të vetëdijshëm burrat muslimanë për këtë boshllëk, për këtë gjymtim të shoqërisë muslimane! Sa janë të ndërgjegjshëm ndaj përgjegjësisë që duhet të kenë gratë muslimane në shoqëri! Deri kur prindërit muslimanë vajzat e tyre i prangosin e nuk ua japin të drejtën e shkollimit dhe të integrimit në shoqëri! Jo, gratë të barabartë me burrat duhet të jenë! Kush të dha të drejtën ty, burrë musliman, ndaj gruas sate të mbash qëndrim burri agresor! Kush të dha të drejtën ty, t’ia mohosh aftësitë udhëheqëse gruas sate, e ta konsiderosh të paaftë! E të mangët! Jo, kurrsesi jo! Gruaja është e plotë siç mund të jesh ti. Po edhe ti sikur të mbylleshe, e të mos komunikoje, madje do të bëheshe më i paaftë se gruaja!

Jo, dije pra o ti burrë, që vetes burrë musliman i thua, se njëmend burrë do të ishe kur me gruan tënde do të plotësoheshe! Jo po ti gruan tënde e dëgjon atëherë kur ti ke nevojë, e kurrë s’dëgjon e as s’të bëhet vonë, kur gruaja jote shpreh ambiciet dhe nevojat e veta. Dije pra, se ti burrë i virtytshëm e as i dobishëm s’do të bëhesh, përderisa ndaj gruas sate je i pavirtytshëm dhe i parespektueshëm! E nuk është virtyt i mirë e as respekt vetëm të përkëdhelet, por edhe t’ia respektosh idetë dhe pjesën që mund ta jepte në familje e në shoqëri. E pra, dije se, përderisa ti ia cenon të drejtën e të qenët të saj aktive në shoqëri, kurrë shoqëria muslimane nuk do të shohë ditë të bardha!

Kurrë pra! Përderisa gratë muslimane, gjysma e shoqërisë, të mohohen, e të mos e thonë fjalën e tyre, të mos shprehin idetë e tyre e të mos kenë vendin që e meritojnë në shoqëri! Çka të bëri ty të mendosh se gruaja është e paaftë dhe e dobët! Ajo është burim i jetës, prej saj lindën burrat! Jo po ty të ka kapur burrëria përpara, e ke harruar se ty një grua të lindi, e ti “burrërisht” po e mohon! Jo, ato lihen të shprehen, por vetëm kur ti burrë ndihesh i dobësuar e i plogështuar. Edhe flasin e komunikojnë, por të shtyra nga prangosja, e detyrohen të bartin fjalë e të llafosin gjëra të kota me gratë e mëhallës. Çdo njeri i mençur mund ta marr me mend arsyen e kësaj dukurie!

Gratë s’janë krijuar për me ta ushqyer ty barkun! E as për t’u vënë në shërbim të trupit tënd! Jo, kurrsesi jo! Ajo është krijuar edhe mendjet dhe zemrat e njerëzve për t’i prehur në paqe e qetësi. Trupi s’prehet, por shpirti! Ato janë krijuar për të edukuar. Për të edukuar breza! E si pra ajo edukatore e denjë të jetë, kur ti asaj të pamirit e të dëgjuarit e të menduarit ia kufizon brenda mureve të shtëpisë!

Ti, duke menduar se namin po bën, kthehesh i nevrikosur e i irrituar se jeta është bërë tejet e vështirë! Po, do të vështirësohet edhe më tepër, përderisa shoqëria me njerëz sikur ty, mendojnë se gratë janë tepër për t’u integruar në shoqëri. Ty shoqëria e tillë po të irriton, e ka për të të irrituar, përderisa është e gjymtë! E gjymtë, se butësia e prehja e duarve të grave janë të mohuara në shoqëri!

Fëmijët e të rinjtë tanë po edukohen prej organizatash e shoqatash! Po, edukohen, madje edhe fenë e tyre harrojnë, sepse organizatat e shoqatat kanë gra në lëvizje. Por jo gra nëna, por gra të punësuara, shërbyese ndaj atyre që sytë i kanë çelur para burrave ndaj fëmijëve të tyre. Jo, burrat muslimanë janë ende mendjembyllur, e nuk shohin se ç’po ndodh!

Vajzave e motrave tona po i mohohet e drejta e besimit! Po përjashtohen nga shoqëria e nga shkolla, vetëm pse zbatojnë urdhrin e Allahut, Krijuesit të çdo gjëje! E ne jemi të paaftë për t’i mbrojtur! Ne burrat! Po çka nëse vajzat e motrat muslimane janë një grusht! Janë një trup! Të bashkuara! Kudo të lidhura mes vete! Pasha Atë, të Gjithëpushtetshmin, Allahun e Madhërishëm, edhe me bisht syri sikur të provonin t’i shikonin do të mateshin shumë! E lëre më të prekeshin a të cenoheshin! Jo, po gratë janë të ndara, të panjohura mes vete, të palidhura, nuk kanë sesi të komunikojnë, janë të burgosura! E ti pra, burrë e prind musliman, je shkaktar i kësaj gjendje! Pretendo tërë kohën devotshmëri, e pretendo tërë kohën ambicie për zgjim e përmirësim të gjendjes, e pretendo tërë kohën për bashkim të Ummetit, përderisa ti gruas tënde ia mohon pjesën e saj në Ummet!!!

Po, gruaja jote ka dëshirë të respektojë urdhrin e Allahut, kodin e veshjes! Por, ajo pse të vishet si muslimane, kur ajo s’ka shoqe tjera, motra muslimane, me të cilat do të shoqërohej e do të komunikonte. E ku të shkojë vallë me veshje Islame!

Muslimanja, po themel i shoqërisë! Gruaja Muslimane po gjysma e shoqërisë! Kur gruaja muslimane është e pranishme në Xhami, në tubime islame, në kuvendime islame! Kur gruaja komunikon me gra tjera muslimane! Kur gruaja është e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për përgjegjësinë e saj në shoqëri, të betohem në Zotin që e krijoi, se shoqëria do të jetë shumë më ndryshe!

Kurrsesi! Nuk ka ndryshim e përmirësim të gjendjes së shoqërisë muslimane! Jo nuk ka për të pasur zgjim! Kurrë përderisa gratë i mbyllni nëpër shtëpi, i paaftësoni! Jo përderisa ti nuk e hap derën e komunikimit dinjitoz me gruan tënde! E jo përderisa gruaja jote nuk është e ndërgjegjshme për çka po komunikohet!

E pra, dije dhe bindu! Gruaja nuk është objekt! Por është njeri! Bij e Ademit! Krijesë që Allahu e krijoi, sikur që ty të krijoi. E ti s’je zotërues i saj, por pjesë e saj. Ti je thirrur të ndash pjesën tënde, e ajo të ndajë pjesën e saj, e të plotësoni njëri-tjetrin. E përderisa gratë nuk plotësojnë burrat në shoqëri, ajo shoqëri kurrë s’do të prehet, e as s’do të jetë ndryshe. Kurrë!, nuk do të ketë Ummet pa gra në Ummet!

O Ummet! O shoqëri, shoqëri gjysmake pa gra! Ku e kah po shkoni! Në rrugë vajzat e reja vërtiten, e vetë zgjedhjen në jetë bëjnë! E çfarë zgjedhje bëjnë vallë! Varrosin veten e tyre të gjalla! Janë të pafajshme! Janë lënë jetime, janë braktisur! Nënat e tyre janë duke gatuar, nënat e tyre janë duke pastruar e duke fshirë, ndërsa bijat e tyre duke bërë zgjedhjen në jetë! Prapë, janë duke bërë zgjedhjen në jetë!!!

Kur, xhamitë tona do të jenë strehë edhe për gratë, për motrat, e për nënat tona! Kur, burri me gruan e tij bashkërisht do të nisen për në Xhami! Kur gratë do të dëgjojnë Kumtimin e Ditës së Xhumasë! Kur Xhamitë tona, nuk do të jenë vetëm për burra! Kur do të marrim mësim prej gjeneratave të para të Ummetit, kur gruaja ishte edukuese e njeriut, kujdestare, udhëheqëse në dije po e gatshme edhe për luftë!

Dijeni pra edhe njëherë o burra muslimanë! Ky dobësim, kjo ngecje, ky poshtërim, kjo prapambetje do të na shoqërojë derisa ne gratë tona i dobësojmë, i poshtërojmë e i lëmë mbrapa!

O Allah! Zot i burrit dhe gruas, Krijues prej çdo lloji çiftin, na mëshiro që të mëshirshëm ndaj grave të bëhemi; na udhëzo që udhëzimin Tënd grave tona të mos ua pengojmë; na përmirëso që ne bashkë me gratë e Ummetit të përmirësojmë gjendjen e Ummetit tonë! Amin!

Ve ma et-teufik ila bilah